Telegrafi

Dënohet me 3 vjet burg, i akuzuari për shitje të narkotikëve në Gjilan

Gjykata themelore në Gjilan, i ka shqiptuar dënimin prej 3 vite burgim dhe 3 mijë euro gjobë, të akuzuarit për që ka kryer veprën penale “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Gjilan, F.H është zënë me datën 02-02-2020 duke blerë substancë narkotike të llojit “marihuanë”.

“Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit F. H, duke i shqiptuar dënim prej 3 (tre) vite burgim dhe 3.000 Euro gjobë. I akuzuari me datë 02.02.2020 në mënyrë të paautorizuar, ka blerë dhe poseduar substancë narkotike të llojit “marihuanë” në peshë prej 1 (një) kilogram e 200 (dyqind) gramë, e cila është gjetur në shtëpinë e tij në fshatin Kabash të Vitisë, gjatë bastisjes nga zyrtarët policorë e njëjta është sekuestruar bashkë me një peshore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Dënimi i është dhënë të akuzuarit duke marrë parasysh që ai këtë vepër penale e ka kryer më shumë se një herë.

“Kryetari i trupi gjykues ka nxjerrë aktvendim me të cilin ka aprovuar pranimin e fajësisë të akuzuarit, ndërkohë dënimin e shqiptuar me burgim dhe gjobë, ka vlerësuar në harmoni me peshën e veprës penale, pasi që i njëjti është një recidivist i këtyre veprave”, thuhet tutje në njoftim.

Gjithashtu është nxjerrë aktvendim me të cilin të pandehurit i vazhdohet masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​ /Telegrafi/