Telegrafi

Dënohet me 25 vjet burg i akuzuari që kishte vrarë një person në një kazino në Lipjan

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda njofton se ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit A.P. për veprat penale Grabitje nga neni 329 par.5 të KPRK-së dhe Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga nenin 374 par.1 të KPRK-së.

Sipas njoftimit për media, i akuzuari është shpallur fajtor dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 25 (njëzetepesë) viteve i cili dënim do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, duke i llogaritur kohën e kaluar në paraburgim nga dt.03.04.2019 e tutje dhe dënim unik me gjobë në shumë prej 8.000 (tetëmijë) €, i cili dënim do të ekzekutohet pesëmbëdhjetë (15) ditë, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Lexo po ashtu Vritet një person në Lipjan

“Me datë 20.03.2019, rreth orës 18:26, në rrugën ‘Bajram Gashi’ në Lipjan, konkretisht në kazinon ‘Matrix’, i akuzuari A.P, me qëllim të përftimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme me përdorimin e forcës, kishte hyrë në kazino duke u sjellë në brendinë e saj përreth 12 minuta, pastaj ishte afruar tek banaku i kazinos dhe nga i dëmtuari tani i ndjeri F.A. kishte kërkuar fillimisht një pije dhe kur tani i ndjeri është kthyer për ta marrë pijen i pandehuri nga brezi kishte nxjerrë pistoletën dhe ia kishte drejtuar viktimës duke i kërkuar paratë, ku ky i fundit ia dorëzon kuletën me të holla dhe shtrihet në tokë për t’i dhënë edhe paratë tjera, pastaj i pandehuri A.P kishte shtënë dy herë me pistoletë në drejtim të tij duke e goditur në pjesën e shpinës me ç’ rast i njëjti kishte ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa i pandehuri nga viktima kishte marrë shumën e parave në vlerë prej 2700 € dhe ishin larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Kundër këtij vendimi pala ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/