Pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka dënuar me 2 mijë euro gjobë të akuzuarin Reshat Sadiku, mërgimtar me banim në Gjermani, i akuzuar për kanosjen e deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Sadiku, u shpall të martën nga gjykatësi Driton Berisha, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit u shqiptua dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 muajve, mirëpo me pëlqimin e të njëjtit dënimi me burgim iu zëvendësua me dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Dënimin më gjobë i akuzuari obligohet që ta pagojë në dy këste në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Sipas aktgjykimit, nëse i akuzuari nuk dëshiron apo nuk mund ta paguaj dënimin e shqiptuar me gjobë, gjykata dënimin me gjobë ia zëvendëson më dënim me burgim, dukë iu llogaritur shuma prej 20 euro për një ditë burgimi.
I njëjti obligohet që të pagojë edhe shpenzimet procedurale aq sa do të llogaritën nga gjykata, si dhe shumën prej 20 euro për paushallin gjyqësorë, e 20 euro tjera për fondin e kompensimit te viktimave të krimit.
I dëmtuari në këtë rast deputeti Abdullah Hoti nuk ka parashtruar kërkesë pasurore-juridike.