Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, këtë të premte ndaj një ish pjesëtari të UÇK-së kanë shpallur dënimin e parë për krime lufte.
“Në emër të popullit të Kosovës”, kjo gjykatë e themeluar shtatë vjet më parë, e dënoi pamëshirshëm me 26 vite burg ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa, i njohur si komandant “Cali”.
Specialja njoftoi se trupi gjykues e shpalli Mustafën fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
“Për arsye ligjore, Trupi Gjykues e shpalli Mustafën të pafajshëm për krimin e trajtimit mizor. Kur shqiptoi vendimin, Trupi Gjykues nënvizoi se akuzat në këtë çështje gjyqësore kanë të bëjnë vetëm me përgjegjësinë penale individuale të Mustafës dhe përfshirjen e tij në krimet e pretenduara të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme të viktimave”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Tutje, bëhet e ditur se duke vënë në dukje se viktimat në këtë çështje janë shqiptarë kosovarë, trupi gjykues gjithashtu theksoi se “përpjekjet e tyre për të gjetur drejtësinë dhe të vërtetën janë thelbi i këtij procesi”.
“Krimet për të cilat, Mustafa u shpall fajtor ndodhën në prill 1999 në një kompleks në fshatin Zllash, në Kosovë, i cili përdorej si bazë nga njësiti gueril BIA i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), komandant i të cilit ishte Mustafa”, thuhet në njoftim.
Në këtë dënim, Mustafës do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim, ku do të llogaritet koha e kaluar në paraburgim”, ka thënë kryegjykatësja Mappie Veldt-Foglia.
Këtë vendim nga Dhomat e Specializuara e mirëpriti ushtruesi i Detyrës së Prokurorit të Specializuar, Alex Whiting, duke e quajtur “fitore për drejtësinë”.
Në reagimin e tij ai gjithashtu përshëndeti kurajën e dëshmitarëve që dhanë dëshmi kundër Mustafës.
“Aktgjykimi i sotëm përbën një fitore për drejtësinë dhe, në veçanti, për viktimat e Salih Mustafës dhe familjet e tyre, të gjithë shqiptarë të Kosovës, tragjeditë personale të të cilëve ishin në zemër të këtij rasti, dhe që kanë vuajtur për më shumë se dy dekada për shkak të veprimeve të z. Mustafa”, tha ndër të tjera Whiting.
E dënimi me 26 vite burg për Mustafën ishte krejt i papritur për familjarët e tij.
Jahja Mustafa, babai i “Calit”, tha se kurrë nuk ka pritur këtë dënim për djalin e tij.
“Lajm i vështirë boll, veç s’kemi çka me ba. Nuk e kemi prit këtë dënim kaq të rëndë. Fatin e ka pas kështu – i pa fat si tash si para luftës e edhe pas luftës”.
“Pa fat para luftës pasi herën e parë kur e patën dënu me të thënë të drejtën hiq s’u pata mërzitë se e disha që serbët e dënojnë atë, por sot ishte shumë e rëndë”, deklaroi Jahja Mustafa.
Indinjatë të thellë për vendimin shprehën edhe familjarë tjerë të Mustafës, përmes reagimeve në rrjete sociale.
Një të tillë e bëri edhe kryeministri Albin Kurti, i cili duke e quajtur verdiktin indinjues, ka thënë se është e papranueshme kur “çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal”.
“Lufta e çdo populli kundër pushtuesve e okupatorëve është e drejtë universale. Është e papranueshme kur çlirimtarin na e gjykojnë më rëndë se agresorin gjenocidal. Sot e gjithmonë jemi solidarë me luftëtarët dhe me UÇK-në tonë”, ka shkruar ndër të tjera Kurti në Facebook.
Ndaj vendimit kanë reaguar edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të kësaj organizate, Faton Klinaku, ka thënë se po të ishte Gjykata Speciale në Kosovë, “hapat i kishit pa”.
Ai po ashtu ka kritikuar deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët nuk merren me kundërshtimin e Gjykatës Speciale.
“Po të ishte Gjykata Speciale këtu në Kosovë, hapat i kishit pa. Por ne nuk mund të bëjmë kurrfarë hapash këtu, përderisa kjo e ka selinë e vet në Hagë. Kuvendi i Kosovës është dashur të merret me këtë çështje sepse është turp për neve që ish kryeministri siç është i Britanisë së Madhe, ish liderë botërorë merren dhe akuzojnë Gjykatën Speciale që është gjykatë politike e Kuvendi i Kosovës, politikanët tanë nuk merren fare me këtë çështje është absurde, dhe e dëmshme për vet popullin tonë”, ka thënë Klinaku.
Aktgjykimi dënues i shkallës së parë të Dhomave të Specializuara në Hagë kundër ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa, ka ngjallur edhe reagimin e partive politike, përveç Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili dikur ishte “në lëkurën” e Mustafës, ka thënë se dënimi i sotëm është vetëm një shkallë e drejtësisë, dhe rasti i tij në një shkallë tjetër, shpreson ta marrë një epilog tjetër për lirinë e tij.
Ai po ashtu është shprehur se beson fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së.
“Unë besoj fuqishëm në pafajësinë e UÇK-së. Kosova e ka pranuar drejtësinë si mekanizëm për heqjen e gjitha dilemave se lufta e UÇK-së për lirinë e vendit ka qenë luftë e pastër!”, ka shkruar mes tjerash Haradinaj në Facebook.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se UÇK-ja është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare.
“Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë, e pashmangshme dhe e domosdoshme”. Këto fjalë të Salih Mustafës – Calit para trupit gjykues janë fjalët e secilit prej nesh që kemi përjetuar pushtimin e egër të Serbisë. Janë realiteti i historisë së Kosovës, të cilën asnjë përpjekje nuk mund ta ndryshoj e ta rishkruaj”.
“Mbi një shekull pushtim, dhunë, agresion e mohim i çdo të drejte njerëzore, të përjetuara nga dhjetëra breza të popullit tonë, që kulmuan me gjenocidin e viteve 1998-1999, kanë qenë çmimi i lirisë që e kemi sot. Ushtria Çlirimtare e Kosovës është dhe do të mbetet gjithmonë krenaria jonë kombëtare”, ka shkruar ai në Facebook.
Kujtojmë se para Mustafës, Specialja ka dënuar për pengim të administrimit të drejtësisë ish-krerët e OVL e UÇK-së, Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajt. Ndërsa, për ish-krerët e tjerë të UÇK-së, që po mbahen në paraburgim në Hagë, gjykimi pritet të fillojë në tre muajt e parë të vitit të ardhshëm.
Me akuza për krime lufte po përballen edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kreu i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe ish-deputeti, Rexhep Selimi, ish-zëdhënësi i UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe ish-pjesëtari tjetër i UÇK-së, Pjetër Shala.
Thaçi, Veseli, Krasniqi, Selimi dhe Shala dyshohen për veprat penale që kanë të bëjnë me krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje, të cilat, sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer mes marsit të vitit 1998 dhe shtatorit 1999.
Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që rëndojnë mbi ta, derisa po vazhdojnë të mbahen në paraburgim në Hagë. /Telegrafi/