Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi u shpallën fajtorë në gjykimin për vrasjen e Rrahman Ramës në lokalin ‘Bon Vivant’.
Për veprën penale vrasje e rëndë, Masar Gërdovci u dënua me 21 vjet burgim ndërsa për armëmbajtje pa leje me dënim me burgim prej 1 viti, shkruan kallxo.com.
Të njëjtit gjykata i shqiptoi dënim unik me burgim prej 21 vjet e 8 muajve si dhe dënim plotësues atij do t’i konfiskohet përherë arma, revolja e mbajtur në mënyrë të paautorizuar si mjet i kryerjes së veprës penale.
Ndërsa Sherif Krasniqit, Gjykata i ka bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasja e rëndë në pjesëmarrje në rrahje, për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 vjet e tre muaj burgim.
Kurse për veprën penale të armëmbajtjes pa leje është liruar nga akuza.
Sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.
Në Lokalin “Bon Vivant” më 13 tetor 2014 u vra Rrahman Uka që ishte roje në atë lokal, për vrasjen tij akuzohen Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.
Në nëntor të vitit të kaluar kishte qenë e paraparë që të shpallej aktgjykimi mirëpo në ditën kur parashihej të shpallej aktgjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen në “Bon Vivant”, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte rihapur përsëri shqyrtimin gjyqësor në procedurën e provave.
Trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini kishte marrë vendim që shqyrtimi gjyqësor të rihapet për marrjen e një prove që ka të bëjë me gjurmët e gishtërinjve në armë.
“Rihapet shqyrtimi gjyqësor për shkak të vërtetimit të një prove në lidhje me ekzaminimin e vijave papilare të gishtërinjve të marra nga arma në mënyrë që të vërtetohet gjendja faktike”, kishte deklaruar kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini.
Ky rast është gjykuar nga trupi gjykues i kryesuar nga Suzana Çerkini si dhe dy anëtaret e trupit gjykues, gjykatësit Shpresa Hasaj Hyseni dhe Arben Hoti ndërsa prokurore e këtij rasti është Ferdane Sylejmani. /kallxo.com/