Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të pandehurve E.A, B.P, D.K dhe Z.V për shkak se më 12.09.2020, rreth orës 21:40, në magjistrale Pejë – Rozhajë, në pompën e derivateve në Vitomiricë të Pejës kanë grabitur një sasi të hollash.
Sipas njoftimit të Gjykatës, të pandehurit janë dënuar me nga katër vjet heqje lirie dhe po ashtu me gjobë një mijë euro secili.
“Të pandehurit Z.V, iu shqiptua dënimi plotësues konfiskimi i automjetit, çelësave të automjetit dhe dokumenteve përcjellëse dhe të njëjtat pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit i dërgohen në administrim Agjensionit për Menaxhimin dhe Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar në Prishtinë. Të pandehurve E.A., B.P., D.K. dhe Z.V., iu shqiptua dënimi plotësues, me të cilin obligohen të pandehurit që në mënyrë solidare t’ia kompensojnë dëmin e shkaktuar të dëmtuarit V.J., në shumë prej 583 euro, në afat prej 15 ditësh pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit”, thuhet në njoftim, transmeton Telegrafi.
Të pandehurve B.P, D.K dhe Z.V, iu ndërpritet paraburgimi i caktuar me aktvendimin e kësaj gjykate dhe të njëjtit u lëshuan që të mbrohen në liri gjer në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Sipas aktakuzës, të dyshuarit duke vepruar në grup, me përdorimin e kanosjes serioze për të sulmuar jetën apo trupin e personit – dëshmitarit XH.R, përvetësojnë pasurinë e luajtshme të personit tjetër – të dëmtuarit V.J me qëllim që t’i sjellin vetës dobi pasurore të kundërligjshme, në atë mënyrë që, të maskuar dhe të armatosur, shkojnë në vendin e lartcekur me automjet mirëpo, targat i kishte të mbuluara me shirit (ngjitës) të zi, e të cilin e drejtonte i pandehuri Z.V., ndalen para hyrjes së marketit të pompës dhe nga automjeti ana majtë prapa, del i pandehuri E.A, i cili kishte në posedim edhe armën AK-47, ndërsa nga ana e pasagjerit dhe ana e djathtë prapa, dalin të pandehurit D.K dhe B.P. Ata që të tre hyjnë brenda në market dhe nën kërcënimin e armës, i pandehuri D merr kartëmonedhat, i pandehuri B merr paratë e metalta, gjithsej në vlerë të përgjithshme marrin para të gatshme prej 583 euro, ndërsa i pandehuri E merr edhe dy pako cigare më pas kthehen në automjet ku i priste i pandehuri Z, i cili nuk kishte dalë dhe vrullshëm nisen në drejtim të fshatit Radavc dhe për disa ditë fshehin automjetin dhe armën, ndërsa paratë i kishin ndarë ndërmjet vete.
Të pandehurit secili veç e veç u obliguan që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguajnë shumën prej 50 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor, shumën prej 50 euro, si dhe në emër të taksës për kompensimin për viktimat e krimit shumën prej 50 euro, e të gjitha këto në afat prej 15 ditësh pasi që aktgjykimi të bëhet i plotfuqishëm. /Telegrafi/