Gëzim Sveçla, asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, është ndaluar për 48 orë pas një akti që ai e quan simbolik teksa shkuli mikrofonat e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Ky veprim, sipas tij, ishte një mënyrë për të denoncuar një “pazar të madh” në qytet, siç e ka përshkruar ai në një postim në Facebook.
Sveçla theksoi se veprimi i tij ishte një akt simbolik për të ngritur zërin kundër padrejtësive dhe për të kërkuar barazi.
“Unë mbiemrin e kam ‘Sveçla’, dhe nga një aksion simbolik që bëra, po më dërgojnë në mbajtje 48h. Por, kjo ndoshta është edhe Kosova që po e ëndërrojmë, pavarësisht mbiemrave të jemi të gjithë të barabartë. A jemi nuk e di? Veprimi im ishte për të shpërfaqur një pazar të madh në Prishtinë. Asgjë më shumë.
Por, imagjinoni përpara me mbiemra pushtetarësh çka ndodhte. As me thirrë nuk kanë guxu, se lëre më shumë! Shihemi!”, ka shkruar Sveçla
Kjo ngjarje ka nxitur debat mbi kufijtë mes protestës simbolike dhe shkeljes së rregullave, duke hapur diskutime për standardet e barazisë para ligjit dhe qasjen ndaj akteve politike në hapësira publike./Telegrafi/