Demokratët fituan njërën nga garat e balotazhit në Xhorxhia për dy vende në Senatin amerikan, ndërsa kryesojnë edhe për vendin e dytë, që do t’i siguronte përparësi presidentit të zgjedhur Joe Biden, kur të marrë detyrën më vonë gjatë këtij muaji.
Sipas medieve amerikane dhe grupit “Edison Research”, sfiduesi demokrat Raphael Warnock fitoi përballë republikanes Kelly Loeffler, ndërsa demokrati Jon Ossoff ka një epërsi të ngushtë kundruall republikanit David Perdue, ndonëse rezultati përfundimtar pritet më vonë të mërkurën.
Me 98 për qind të votave të numëruara, sipas grupit Edison Research, zoti Warnock kryeson kundrejt zonjës Loeffler me 1,2 përqin, afërsisht 50 mijë vota, ndërsa zoti Ossoff është në epërsi me rreth 4 mijë vota ndaj zotit Perdue.
Nëse të dy demokratët Warnock dhe Ossoff do të fitonin, në Senat do të kishte një ndarje 50-50, duke i dhënë nënpresidentes së zgjedhur Kamala Harris mundësinë për të hedhur votën përcaktuese pasi ajo dhe zoti Biden të marrin detyrën më 20 janar. Demokratët kanë tashmë një shumicë të ngushtë në Dhomën e Përfaqësuesve.
Një Senat i kontrolluar nga republikanët do të ndërlikonte miratimin e reformave legjislative të zotit Biden gjatë dy viteve të ardhshme, duke detyruar ndoshta negociata gjithëpërfshirëse për çështje të tilla si shkalla e përfitimeve të kujdesit shëndetësor, vendosja e kontrolleve të imigracionit dhe vendosja e rregulloreve për ndryshimet klimatike.
Shumica e votave që mbetën për t’u numëruar janë nga zonat ku Joe Biden fitoi në nëntor, me rreth 13 mijë vota që ende duhet të numërohen në Qarkun DeKalb afër Atlantës, duke nxitur optimizmin e demokratëve. Asnjë demokrat nuk ka fituar një garë për Senatin amerikan në Xhorxhia për 20 vjet.
“Na thanë që nuk mund t’i fitonim këto zgjedhje. Por sonte, ne vërtetuam se me shpresë, punë të palodhur dhe njerëzit përkrah nesh, gjithçka është e mundur,” tha zoti Warnock, një predikues Baptist, në një mesazh përpara se të projektohej si fitues.
“Unë do të shkoj në Senat për të punuar për të gjithë Xhorxhian, pa marrë parasysh për kë keni votuar në këto zgjedhje”, tha ai.
Zoti Warnock do të bëhet senatori i parë me ngjyrë nga Xhorxhia, ndërsa zoti Ossoff, 33 vjeç, do të ishte anëtari më i ri i Senatit nëse fiton.
Pjesëmarrja në votime ishte shumë e lartë të martën, me radhë të gjata votuesish që prisnin para vendvotimeve, ndërsa gati 3.1 milion veta hodhën votat para ditës së zgjedhjeve. Pesë milionë vota u hodhën në Xhorxhia në zgjedhjet e nëntorit që përfshinin garën presidenciale.
Rreth 100 mijë veta që nuk votuan në nëntor në Xhorxhia, hodhën votën e tyre në garën e balotazhit për Senatin para ditës zyrtare të zgjedhjeve.
Në nëntor, zoti Biden u bë kandidati i parë demokrat që fitoi në Xhorxhia që nga viti 1992.
Presidenti ka pretenduar në mënyrë të përsëritur pa prova se zgjedhjet ishin “manipuluar” dhe të shtuan në një telefonatë ai i kërkoi zyrtarit më të lartë të zgjedhjeve të këtij shteti, Sekretarit të Shtetit Brad Raffensperger, një republikan, të gjente 11 mijë e 780 vota të tjera për të përmbysur rezultatin. Por zoti Raffensperger hodhi poshtë kërkesën e Trump-it dhe të hënën i tha kanalit ABC News se presidenti “thjesht e ka gabim” kur flet për parregullsi zgjedhore në Xhorxhia.
Presidenti i zgjedhur Biden dhe presidenti në largim Donald Trump mbajtën tubime të hënën në Xhorxhia në një përpjekje të fundit për të bindur votuesit.
“Forca është në duart tuaja”, tha zoti Biden. “Si asnjëherë tjetër në karrierën time, një shtet mund të përcaktojë kursin, jo vetëm për katër vitet e ardhshme, por për gjeneratën e ardhshme.”
Ai tha se banorët e Xhorxhias kishin votuar në numër rekord në zgjedhjet presidenciale në nëntor, duke i dhënë atij një fitore të ngushtë në atë shtet. “Tani, kemi nevojë që ju të votoni përsëri në numër rekord,” tha ai.
Presidenti Trump bëri fushatë më vonë të hënën në një qark republikan në Dalton, në pjesën veriore të shtetit, duke u thënë mbështetësve se zgjedhjet mund të ishin “shansi i tyre i fundit për të shpëtuar Amerikën që duam”.
“E majta ekstreme dëshiron të shkatërrojë vendin tonë, të shkatërrojë historinë tonë dhe të fshijë gjithçka që ne duam”, tha presidenti Trump. “Kjo mund të jetë vota më e rëndësishme, që do të hidhni ndonjëherë në jetën tuaj”. /VOA/