Gati 90 ligjvënës demokratë i kanë kërkuar presidentit të SHBA-së, Joe Biden, të sanksionojë anëtarët e qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për dhunën anti-palestineze në Bregun Perëndimor.
Duke i kërkuar Bidenit që t’u dërgojë një mesazh partnerëve amerikanë përpara se të largohet nga detyra, anëtarët e Kongresit thanë se anëtarët e kabinetit izraelit, ministri i Financave, Bezalel Smotrich dhe ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben-Gvir kishin nxitur dhunën në territorin e pushtuar.
“Ne shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të thellë për rritjen e dhunës së kolonëve, zgjerimin e vendbanimeve dhe masat e miratuara për të dobësuar Autoritetin Palestinez dhe për të destabilizuar Bregun Perëndimor”, thuhet në letër.
Bëhet e ditur se letra, e nënshkruar nga 17 senatorë dhe 71 anëtarë të Dhomës, thotë se kolonët izraelitë kanë kryer mbi 1270 sulme të regjistruara kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor, mesatarisht më shumë se tre sulme në ditë, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.
Letra mbante datën 29 tetor, por u bë publike së fundmi sepse ligjvënësit nuk kishin marrë përgjigje nga Shtëpia e Bardhë.
Senatori demokrat Chris Van Hollen dhe anëtarët demokratë të Dhomës së Përfaqësuesve Rosa DeLauro dhe Sean Casten thanë se Biden ka autoritetin të vendosë sanksione sipas një urdhri ekzekutiv ekzistues.
“Të bësh këtë do të dërgonte një mesazh jo vetëm për Izraelin dhe palestinezët, por edhe për aleatët e SHBA-së kudo në botë”, thanë ata.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur për dekada një zgjidhje me dy shtete midis Izraelit dhe palestinezëve dhe i kanë kërkuar Izraelit të mos zgjerojë vendbanimet.
Bregu Perëndimor është ndër territoret e pushtuara nga Izraeli në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967 dhe ku palestinezët, me mbështetjen ndërkombëtare, kërkojnë shtetësinë.
Shumica e fuqive botërore i konsiderojnë të paligjshme vendbanimet izraelite në këtë zonë. /Telegrafi/