Site icon Telegrafi

Demokracia në Veprim: Rrethanat aktuale nuk mundësojnë zgjedhje të lira dhe të drejta në veri

“Demokracia në Veprim” përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rrethanat aktuale nuk mundësojnë mbajtjen e zgjedhjeve të lira në katër komunat veriore, që janë paraparë të mbahen më 23 prill.

“Përkundër shtyrjes së disahershme të ditës së zgjedhjeve dhe afateve për certifikim të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, subjektet politike, në veçanti ato të komunitetit serb, nuk kanë shprehur vullnet për të qenë pjesë e garës zgjedhore. Madje, në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok, ku komuniteti serb përbën mbi 90% të popullsisë, nuk është regjistruar asnjë kandidat nga radhët e komunitetit serb. DnV vlerëson se kjo situatë mund të cenojë legjitimitetin e institucioneve që do të dalin nga zgjedhjet, pasi nuk garanton përfaqësim të drejtë të komunitetit serb”, thuhet në njoftimin e DnV.

DnV shton se për shkak të dorëheqjeve të zyrtarëve zgjedhor të komunitetit serb nga trupat menaxhuese zgjedhore, si dhe e mungesës së interesimit të tyre për të aplikuar, KQZ-ja po përballet me sfida në zhvillimin e përgatitjeve të nevojshme për të organizuar dhe administruar një proces të rregullt dhe të mirëfilltë zgjedhor.

“Paqartësitë lidhur me shfrytëzimin e qendrave ekzistuese të votimit, emërimin dhe trajnimin me kohë të komisionerëve, bartjen e materialeve zgjedhore janë disa nga problemet kyçe me të cilat pritet të ballafaqohen trupat menaxhuese të zgjedhjeve.

Në përgjithësi, situata e sigurisë në katër komunat veriore vijon të jetë e brishtë. Dorëheqjet e zyrtarëve policor serb në ato komuna, përbëjnë handikap të madh në garantimin e sigurisë, veçanërisht gjatë procesit zgjedhor. DnV rikujton që krijimi i një ambienti të sigurt është parakusht thelbësor për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Në anën tjetër, për si rezultat i këtyre faktorëve, DnV vlerëson se mund të pritet një mungesë e theksuar e interesimit të qytetarëve të komunitetit serb për të marrë pjesë në zgjedhje.

“Kjo pritet të manifestohet edhe me dalje shumë të ulët në zgjedhje, që do të cenojë legjitimitetin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 23 prillit.

Andaj, marrë parasysh situatën e tanishme në terren, DnV vlerëson që rrethanat e tanishme, nuk mundësojnë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, në përputhje me standardet për zgjedhje të lira dhe të drejta”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

Exit mobile version