Telegrafi

Demi ripërsërit se do të bojkotojnë zëvendësimin e orëve të humbura nga greva në arsim

Kryetari i Këshillit të Prindërve, Jeton Demi, deklaroi të shtunën se qëndrojnë prapa paralajmërimit se do të bojkotojnë orët e humbura nga greva në arsim.

Pas takimit me presidenten e vendit, Vjosa Osmani, ai para mediave tha se bllokimi i plotë i sistemit arsimor është i papranueshëm dhe se palët – Qeveria dhe SBASHK – duhet të gjejnë zgjidhje sa më parë.

Lexo po ashtu Këshilli i Prindërve paralajmëron bojkotim të zëvendësimit të orëve të humbura nga greva në arsim

“Nuk është roli ynë që të gjejmë një zgjidhje mes palëve. Ne kemi shprehur vlerësimin e prindërve dhe gjithë organizimeve tjera për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve që bllokimi i plotë i sistemit arsimor dhe i pa afat është i papranueshëm për ne. Si i tillë shkel rëndë të drejtën e fëmijëve”, u shpreh Demi.

Ai tha se ja kanë shprehur SBASHK-ut këtë qëndrim, mirëpo “edhe ata kanë argumentet e tyre”.

Ndërsa, Presidentja Osmani pas takimit deklaroi se mbështetë kërkesat e nxënësve dhe të prindërve.

“Nxënësit duhet të jenë në qendër të interesimit tonë për ta tejkaluar krizën në arsim!”, thuhet në njoftimin e Presidencës. /Telegrafi/