Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje Libinotë Demi-Murtezi ka vlërësuar punën e qeverisë dhe mjekëve në menaxhimin e situatës së pandemisë.
Demi-Murtezi në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se në bazë të raporteve të pranuara pandemia është menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme për kushtet që ka pasur Kosova.
“Kjo bazohet nga numri i vogël të infektuarve. Nuk kemi pasur numër të madh të infektuarve sa është pritur. Sukses është edhe numri i madh i të shëruarve. Menaxhimin e mirë të pandemisë e kemi parë edhe në bashkëpunimet ndërministrore, krijimin e shtabeve emergjente nëpër komuna”, tha ajo, përcjell Telegrafi.
Deputetja e LVV-së thotë se serioziteti me të cilin janë qasur institucionet pandemisë është një tjetër tregues i menaxhimit të mirë të situatës.
“Mbi të gjitha qytetarët kanë treguar besueshmëri ndaj qeverisë dhe IKSHPK-së duke përfillur me përpikshmëri masat e marra nga Instituti e që në mënyrën më të mirë janë prezantuar nga ministri Arben Vitia”, deklaroi Demi-Murtezi.
Sa i përket numrit të testimeve deputetja LVV-së thotë se IKSHPK-ja e ka konfirmuar se të gjithë laboratorët janë në funksion./Telegrafi/