Site icon Telegrafi

Demi Moore thyen heshtjen pas humbjes në ‘Oscars’ me një mesazh emocional

Aktorja e njohur, Demi Moore, ka reaguar për herë të parë pas humbjes së saj tronditëse në ‘Oscars’, ku çmimi për aktoren më të mirë shkoi për talentin e ri Mikey Madison.

62-vjeçarja ishte në garë për interpretimin e saj në filmin “The Substance”, në nominimin e saj të parë për ‘Oscar’, por u mund nga Madison, 25 vjeç, ylli i “Anora”.

Pavarësisht zhgënjimit, Moore mbajti një qëndrim pozitiv dhe ndau një mesazh falënderues në Instagram, shkruan DailyMail.

“Nuk mund të jem më mirënjohëse për këtë udhëtim të jashtëzakonshëm”, shkroi ajo.

“Ka qenë një eksperiencë e paharrueshme dhe ndiej kaq shumë dashuri për ekipin tim, kolegët e nominuar dhe të gjithë ata që e bënë këtë sezon çmimesh kaq të veçantë”.

Aktorja gjithashtu i shprehu mirënjohje regjisores së filmit, “Coralie Fargeat”, dhe bashkë-yllit të saj, Margaret Qualley, duke e cilësuar një “nder” bashkëpunimin me ta.

Ajo uroi edhe fituesen Mikey Madison, duke thënë se mezi pret të shohë çfarë do të sjellë në të ardhmen.

Postimi i saj emocionues u shoqërua me një video ku shfaqej duke u përgatitur për natën madhështore, me qenin e saj Pilaf në prehrin e saj.

Më pas, ajo veshi një fustan joshës argjendi dhe pozoi për kamerat përpara se të nisej për ceremoninë.

Pas eventit, Moore u kthye në shtëpi për të festuar me familjen, duke shijuar një moment të relaksuar me patate të skuqura.

Por nata nuk përfundoi aty – aktorja veshi një tjetër fustan glamuroz, këtë herë në ngjyrë ari, për të marrë pjesë në festën e Vanity Fair, e shoqëruar nga vajzat e saj, Rumer, Tallulah dhe Scout Willis. /Telegrafi/

Exit mobile version