Telegrafi

Demhasaj ftohet nga Kosova, zëvendëson Celinën e lënduar

Shkëlqim Demhasaj ka marrë ftesë nga Përfaqësuesja e Kosovës për dy ndeshjet e radhës.

Sulmuesi i talentuar nga Deçani është pajisur me pasaportën e Kosovës.

Demhasaj ka lënë Zvicrën dhe ka pranuar të luaj për Kosovën që nga këto dy takime.

22-vjeçari nuk u ftua fillimisht, por pas lëndimit të Bersant Celinës ka marrë ftesë nga Bernard Challandes.

Lajmi është konfirmuar nga Federata e Futbollit të Kosovës nëpërmjet një postimi.

“Pas lëndimit të Bersant Celinës në ndeshjen e së shtunës në skuadrën e tij, përzgjedhësi Bernard Challandes e ka ftuar në grumbullim Shkëlqim Demhasajn për dy ndeshjet e ardhshme kundër Maltës dhe Azerbajxhanit”.

“Futbollisti i Luzernit do t’i bashkohet ekipit kombëtar nesër (e marte) në mëngjes”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Demhasaj në 14 ndeshje këtë edicion në të gjitha garat me Luzernin, ka shënuar gjashtë gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/