Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK), kërkon nga niveli qendror t’i lejojë komunave ta rishikojnë buxhetin, për të shikuar mundësinë që të investojnë mjetet për dëmet nga vërshimet.
Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave, Sazan Ibrahimi ka deklaron se komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet të cilat shkaktohen nga fenomenet natyrore, derisa ka shtuar se niveli qendror që dy vite radhazi nuk i lejon komunat ta rishikojnë buxhetin.
Ibrahimi thekson se në bazë të informatave që kanë me komunat që janë të prekura nga vërshimet, situata është në përmirësim e sipër.
“Në bazë të informatave dhe komunikimit ditor që kemi me komunat të cilat janë të prekura nga vërshimet e fundit, situata është në përmirësim e sipër. Mirëpo, besojmë se nuk do të ketë të reshura në ditët në vijim. Dëmet të cilat janë shkaktuar si pasojë e këtyre reshjeve të fundit janë me miliona euro. Të gjitha komunat i kanë formuar komisionet të cilat i vlerësojnë dëmet dhe kjo është pothuajse kompetenca e vetme e komunave sa i përket evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga reshjet”, thekson Ibrahimi për KosovaPress.
AKK-ja ka kërkuar që Qeveria e Kosovës t’i mundësojë komunave një fond emergjent, pasi që vërshimet nuk janë problemi i vetëm dhe se gjatë vitit komunat ballafaqohen edhe me fatkeqësi tjera natyrore.
“Komunat nuk kanë mjete financiare apo nuk kanë buxhet të mjaftueshëm që t’i mbulojnë të gjitha dëmet të cilat janë shkaktuara nga reshjet e fundit dhe kjo është evidente, për këtë arsyeje kërkojmë që niveli qendror sa më shpejtë që është e mundur të jetë më aktiv, të mendojë për themelimin e një fondi për emergjenca dhe ky fond t’i ndahet komunave, sepse këto vërshime dhe gjithashtu edhe gjatë periudhës së verës po kemi edhe zjarre, kemi pas edhe të reshura të breshëritë, të cilat kanë shkaktuar dëme në komuna dhe të gjitha këto ndodhin në nivel lokal, për këtë arsyeje ky buxhet duhet t’i ndahet komunave në mënyrë që menjëherë të aktivizohen me përkrahjen e qytetarëve të cilat janë të prekura nga këto fenomene natyrore. Pra, komunat nuk kanë buxhet për t’i mbuluar dëmet të cilat shkaktohen nga fenomenet natyrore. Komunave nuk iu është mundësuar që gjatë këtyre dy viteve të fundit të ketë rishikim të buxheteve komunave”, shton ai.
Sipas tij, gjatë hartimit të buxhetit nuk është e paraparë që ka mundësi të ketë këso fenomene natyrore.
“Po ashtu, buxhetet e komunave janë miratuar në shtator të vitit të kaluar dhe gjatë miratimit të këtyre buxheteve nuk është e paraparë që ka mundësi të ketë këso fenomene natyrore. Për këtë arsyeje, kërkojmë nga niveli qendror që patjetër komunave t’iu mundësojë rishikimin e buxheteve, sepse janë duke u përballuar me vërshime, zjarre dhe patjetër t’ia lejojnë komunave rishikimin e buxhetit”, tha mes tjerash Ibrahimi.
Gjatë ditës së djeshme, delegacioni i bordit të Asociacionit të Komunave të Kosovës, kanë vizituar Komunën e Skenderajt për të parë nga afër gjendjen me vërshime.
Më të prekurat nga këto vërshime, ishin komuna e Skenderajt dhe Mitrovica, por dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Istog e Klinë. /Telegrafi/