Reshjet e dendura të shiut në mëngjesin e hershëm kanë shkaktuar dëme materiale të cilat janë duke u sanuar nga ekipet e zjarrfikësve dhe drejtoria e Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Kështu u bë e ditur përmes një postimi në faqen zyrtare të “Kryeqyteti Prishtina”, në rrjetin social në Facebook.
Në njoftim po ashtu bëhet thirrje që qytetarët të kenë durim në trafikun e ngarkuar i cili është shkaktuar për shkak të ndërhyrjeve në sanim nga ekipet e emergjencave.
“Pas shiut të rrëmbyeshëm të mëngjesit të hershëm, në disa zona të kryeqytetit janë shkaktuar dëme materiale, të cilat ekipet e zjarrfikësve dhe Drejtorisë së Sigurisë dhe Emergjencave në bashkëpunim me policinë janë duke i sanuar.
Ju lutemi të keni durim në trafikun e ngarkuar i cili është shkaktuar për shkak të ndërhyrjeve në sanim nga ekipet e emergjencave.
Çdo rast rreziku ju lutemi raportoni në Qendrën Emergjente të Kryeqytetit në numrat: 0800 112 33 ose 0800 112 44”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës. /Telegrafi/