Barcelona është rikthyer te fitoret në Camp Nou, duke mposhtur Mallorcan me rezultat të ngushtë 2-1.
Gjithsesi te katalunasit primare janë vazhdimi i dy kontratave me dy futbollistë shumë të rëndësishëm si Ousmane Dembele e Gavi.
Kontrata e francezit me Barcelonën skadon në verë, derisa ajo e spanjollit të talentuar në vitin 2023.
Drejtori i Barcelonës, Mateu Alemany ka folur për vazhdimin e kontratave, duke thënë se e rëndësishme është që dy futbollistët duan qëndrimin në Camp Nou.
“Dembele dhe Gavi duan të vazhdojnë të luajnë me ne dhe kjo është diçka shumë e rëndësishme. Si klub po bëjmë të pamundurën që të dy këta futbollistë të qëndrojnë te Barcelona”.
“Është e vërtetë që duhet të respektojmë disa limite në buxhetin e pagave, duhet të jemi të kujdesshëm, por do të bëjmë të pamundurën për ti mbajtur në skuadër”, u shpreh Alemany.
Krejt në fund drejtori i katalunasve ka folur edhe për transferimin e mundshëm të Robert Lewandowskit, duke thënë se nuk ka pasur takim me agjentin e tij.
“Nuk ka pasur takim me agjentin e tij. Nuk më pëlqen të flas për negociata që janë në proces. Nuk na pëlqen të diskutojmë për lojtarë që janë në kontratë me klubet e tjera”, tha Alemany. /Telegrafi/