Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vlerëson se demarkacioni me Malin e zi, është bërë keq dhe në dëm të Kosovës. AAK thekson se ta që e kanë futur Kosovën në këtë telashe të madhe, duhet të japin përgjegjësi edhe para popullit edhe para ligjit.
AAK thekson se përpjekja e Qeverisë për ta shndërruar demarkacionin në pengesë për procesin e liberalizimit të vizave, është një tjetër gabim i rëndë i lidershipit institucional të Kosovës.
“Deklarimet e qeveritarëve se demarkacioni mund të ratifikohet dhe pastaj të korrigjohet, janë jo vetëm qëllimkëqija por edhe të rrezikshme. Gatishmëria e palës malazeze për të përmirësuar gabimet eventuale, e ka zhvlerësuar çdo insistim të Presidentit dhe të Kryeministrit, se ky proces është i pastër”, thuhet në reagim.
“Prandaj kërkojmë nga Presidenti dhe Kryeministri dhe gjithë vartësit e tyre, që çështja e Demarkacionit të rihapet në Bruksel, në një raund bisedimesh me Palën Malazeze, në mënyrë që të mënjanohen gabimet e bëra dhe pastaj Demarkacioni të ratifikohet në Kuvend. AAK-ja është e gatshme të marrë pjesë në çdo proces, që për qëllim ka zgjidhjen e kësaj çështje kaq të ndjeshme. Çdo rrugë tjetër, mund të ketë pasoja afatgjate edhe për Kosovën edhe për Malin e Zi”, thuhet në reagim. /Telegrafi/