Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tashmë ka paralajmëruar se Marrëveshja për Demarkacionin mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po që se nuk arrin të rinegociohet me Malin e Zi. Ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare konsiderojnë se Arbitrazhi nuk është zgjidhja e duhur.
Sipas tyre, ky opsion përdoret i fundit, vetëm atëherë kur të dyja shtetet mbeten pa rrugëdalje.
Demarkacioni me Malin e Zi po vazhdon të ngelet pa zgjidhje. Ani pse kjo marrëveshje u nënshkrua para rreth dy vjetësh ende nuk ka arritur të marrë një epilog.
Përkundrazi, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj tashmë ka paralajmëruar që kjo marrëveshje mund të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit po që se nuk arrin të rinegociohet me Malin e Zi (pas gjetjeve të komisionit të ri, të emëruar pikërisht për demarkacionin).
Përderisa anëtarët e Komisionit thonë se tashmë janë në fazën përfundimtare të analizimit të të gjeturave, zyrtarë të Qeverisë thonë se hapat e mëtejmë për Demarkacionin varen pikërisht prej këtyre të gjeturave. /Zëri/