Site icon Telegrafi

Demarkacioni, kriter të cilin Bashkimi Evropian ia ka vendosur vetëm Kosovës

Ratifikimi i Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, vazhdon të mbetet një prej dy kritereve të fundit për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën nga Bashkimi Evropian.

Megjithatë, Demarkacioni i kufirit, është kriter të cilin Bashkimi Evropian ia ka vendosur vetëm Kosovës, në procesin integrues të saj, përkatësisht për liberalizim vizash, vlerësojnë njohësit e të drejtës ndërkombëtare dhe të asaj evropiane.

Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, thotë për Radion Evropa e Lirë se procesi integrues në Bashkimin Evropian, nuk është i pandryshueshëm në vënien e kritereve.

Sipas tij, ky proces i adapton rrethanat e reja dhe i merr parasysh ndryshimet eventuale që ndodhin në Bashkimin Evropian dhe në shtetet që aspirojnë të jenë pjesë e Bashkimit Evropian.

Në këtë dritë, siç thotë ai, i është vënë Kosovës kriteri i Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, sepse Kosova është shtet i ri dhe me kufij të padefinuar tërësisht.

“Varet se me çfarë dioptrie e shohim. Nëse e krahasojmë me proceset integruese të vendeve tjera, atëherë, normalisht që duket i padrejtë, sepse për herë të parë BE-ja po vendos këso kushtesh për shtete, në fazën në të cilën është Kosova. Por, nëse marrim parasysh procesin e gjithëmbarshëm, atëherë mendoj që nuk është edhe i padrejtë, për faktin që, nëse jo në këtë fazë, sigurisht që çështja e Demarkacionit dhepërcaktimit të saktë të kufijve, do t’i vendosej Kosovës në një fazë tjetër, për ç’gjë Kosova do të përballej përsëri me vështirësitë me të cilat aktualisht është duke u ballafaquar”, thotë Hoti.

Profesori i të Drejtës Evropiane, Avni Mazreku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, e vlerëson kontradiktor kriterin e Bashkimit Evropian, sepse një kriter i tillë nuk i është vënë asnjë vendi të Ballkanit.

Për më tepër, siç thotë ai, vija kufitare e Kosovës me Malin e Zi, nuk është vija më e gjatë, por ajo me Serbinë.

“Mbi të gjitha, për çështjen e Demarkacionit të kufirit me Serbinë, nuk i është vendosur Kosovës asnjë kontekst kohor deri më tash. E mbi të gjitha, është Serbia, por edhe Bashkimi Evropian, që nuk e njohin këtë kufi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si kufi ndërshtetërorë, por si kufi apo si vijë administrative. E kjo vijë kufitare, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është vija më e gjatë kufitare”, shprehet Mazreku.

Exit mobile version