Site icon Telegrafi

Demarkacioni e ndan në dysh Partinë e Drejtësisë, Ferid Agani merr vendim pa kuorum!?

Votimi i Demarkacionit me Malin e Zi është bërë ‘mollë sherri’ në Partinë e Drejtësisë, pasi që kryetari Ferid Agani po insiston që deputetja Labinotë Demi-Murtezi ta votojë në Kuvendin e Kosovës – më 1 shtator – këtë marrëveshje.

Mediat dje kanë raportuar se Ferid Agani kishte thirrur të hënën një mbledhje te Kryesisë, për të marrë qëndrim për votimin e Demarkacionit nga deputetja e tyre në Kuvendin e Kosovës. Sipas Telegrafit, kjo mbledhje kishte dështuar në mungesë kuorumi, e në të cilën nuk kishte marrë pjesë as deputetja Demi-Murtezi.

Edhe përkundër kësaj, mbrëmë Partia e Drejtësisë ka lëshuar një komunikatë për media ku thuhet se Kryesia e Partisë së Drejtësisë në mbledhjen e mbajtur me 24 Gusht 2016, mbështeti Qeverinë dhe Kuvendin e Republikës së Kosovës në përpjekjet për të përmbushur obligimet e tyre kushtetuese dhe ligjore përkitazi me definimin e kufijve ndërkombëtar të shtetit dhe arritjen sa më të shpejtë të statusit të liberalizimit të vizave për qytetarët e vendit.

Burime të Veriu.info nga mbledhja e mbrëmshme e PD-së, bëjnë të ditur se shumica e anëtarëve të kryesisë nuk marrë pjesë në mbledhje, e për pasojë nuk ka pasur kuorum.

“Nga 41 anëtarë të Kryesisë në mbledhje, kanë qenë vetëm 18 anëtarë. Mirëpo, Agani ka dashtë të nxirret nga kjo situatë dhe gjatë takimit i ka thirrë në telefon anëtarët e Kryesisë, Feti Mehdiu dhe Nafije Gashi, e pastaj ka votuar në emër të tyre, duke thënë se e ka marrë miratimin ‘pro’ demarkacionit. Ky ka qenë veprim absurd i tij, por prapë nuk ka pasur kuorum, pasi që edhe me të telefonuarit prapë bëjnë 20 vota, që nuk është shumica e 41 anëtarëve”, thotë burimi.

Exit mobile version