Site icon Telegrafi

Demalia: Letrën e Kadaresë dërguar Enverit e botova si reagim ndaj pseudointelektualëve që mbështesin manipulimet

Personi që botoi letrën e Ismail Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës dhe që ngjalli debat në media, Ilir Demalia, shkruan në profilin e tij në Facebook se letra nuk kishte të bënte me mbrojtjen e motrës së shkrimtarit.

Për Ilir Demalinë – i njohur si “lideri” i njerëzve që hynë në ambasada në vitin 1990 – çështja e motrës së Kadaresë ishte mbyllur, ndërsa letra është shkruar më vonë kur Kadare kërkonte të dilte jashtë vendit. Sipas tij, Kadare i kujtonte regjimit të gjithë besnikërinë e tij, duke përmendur edhe motrën që ia kishte mbyllur derën.

Postimin e tij mund ta lexoni të plotë më poshtë:

“Pse e botova letrën e Kadaresë drejtuar Enver Hoxhës!

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës.

Sëpari, për t’ju pergjigjur pyetjeve se nga e kam marrë këtë letër, apo “konspiracioneve” të Ismail Kadaresë, se këto letra duket sikur kanë dalë nga kasaforta e Enver Hoxhës apo Nexhmie Hoxhës dhe Sigurimit të Shtetit, po ju përgjigjem: kjo letër është marrë nga Arkiva Shtetit si dokument i deklasifikuar dhe nuk përbën asnjë sekret. I vetmi “sekret” është se studies, historianë, apo më saktë, rrëmues-rrënues arkivash, si dhe gazetarë dhe pseudointelektualë me kulturën e manipuluesit dhe jo të studiuesit e të kërkuesit të së vërtetës i përdorin arkivat në mënyrë të njëanshme, për t’i shërbyer njerëzve të regjimit politik, kulturor të dje-sotmes, ndër të cilët kampioni është Ismail Kadareja.

Këtë letër dhe të tjera, kisha kohë që i disponoja. I kanë dhe të tjerë, dhe sigurisht i kanë parë edhe manipuluesit të biografisë së Kadaresë kur kanë rrëmuar në arkiva për “Kadarenë e denoncuar”.

Mendova që ta nxjerr këtë letër jo pse nuk e kuptoj kontekstin se si e kur është shkruar por mbi të gjitha si reagim ndaj kësaj kulture të së dje-sotmes, duke qenë se Ismail Kadare, prej vitesh nuk bën gjë tjetër, por në mënyrë të përherëshme dhe të vazhdueshme, tjetërson duke manipuluar mardhëniet e tij me regjimin komunist, si njeriu që ka mbajtur mbi kurriz “Peshën e kryqit” ne diktaturë, dhe sëfundi, në intervistën e “De Welt”, na tregon edhe se si rregjimi Hoxhës i kishte pregatitur arkivolin.

E botova edhe si reagim ndaj gjithë atyre pseudointelektualëve të djeshëm dhe të sotëm që në vend se të thonë të vërtetën heshtin apo e mbështesin këtë manipulim si duket nga komplekset e të kaluarës së tyre. Sepse jam i bindur që janë të shumtë ata që e dinë se si kanë qenë realisht mardhëniet e Ismail Kadaresë me regjimin dhe vëtë diktatorin Hoxha. Atë e tregojnë jo vetëm këto letra që kam botuar unë, por e tregon vepra e tij, publicistika e tij dhe qëndrimet e tij gjatë regjimit komunist.

Unë qendrimet e mija ndaj Kadaresë, nuk i kam shprehur sot, por që që në gushtin e 1990, publikisht në intervistën e “Zërit Amerikës” kamë thënë: Ismail Kadare nuk mund të jetë një Havel për Shqipërinë se ai ka thurur himne për partinë dhe Enver Hoxhën.

Kam shkruar vazhdimisht, se kujt i shërbeu ai me talentin e tij, për mardhëniet e tij me pushtetin si dje dhe sot, për rolin e tij si intelktual dhe shfryzimin që i bën dhe i ka bërë ai pushteteve në shërbim të së keqes.

Zhgënjyes ishte për mua qëndrimi i shumicës së njerëve të medias pas botimit të letrës (në ndryshim nga njerëzit e thjeshtë që e komentuan atë në rrjete sociale) për të kuptuar më mire gjithë situatën dhe manipulimin. Kadare lëshoi menjëherë ushtrinë e sahanlëpirësve të tij dhe të regjimit duke rimanipuluar letrën dhe qëndrimet e tij. Në vend që të hapej nje debat (që duhet të ishte hapur me kohë), jo vetëm për qëndrimet politike dhe mardhëniet me pushtetin dje dhe sot të shkrimtarit, por edhe për veprën e tij letrare, media mundohet të na e tregojë këtë letër dhe gjithë mardhënien e tij me shtetin diktatorial të Enver Hoxhës si një mardhënie ku shkrimtari ka qenë gjatë gjithë kohës me gijotinën mbi kokë.

Letra drejtuar Enver Hoxhës nuk ka lidhje me mbrojtjen e së motrës. Dosja e së motrës ishte mbyllur ne vitin 1978 me një këshillim dhe, po në këtë vit është thirrur Kadare në Komitetin e Partisë së Tiranës nga Xhelil Gjoni për ti treguar rreth së motrës. Letra drejtuar Enver Hoxhës shkruhet në prill të 1980 nga shkrimtari Ismail Kadare. Pasi Kadare i kishte drejtuar letër qeverisë siç del edhe nga letra e Manush Myftiut dërgur Ramiz Alisë, shkrimtari Ismail Kadare i drejtohet Enver Hoxhës për të zgjidhur problemin e daljes jashtë shtetit siç dhe u zgjidh me urdhër të Enver Hoxhës. Për këtë i kujton edhe një herë shërbimet e mëdha që i ka bërë partisë, veçanërisht diktatorit me lartësimin e figurës së tij dhe për të treguar se sa besnik është i thotë se i ka mbyllur derën të motrës dhe i ka thënë të gjithë fisit të veprojë kështu. Kjo tregon vërtet kohën e tmerrshme që kemi jetuar, por edhe se çfarë intelektualësh kemi pasur, që e hyjnizuan këtë regjim, sepse regjimi nuk ishte vetëm Enver Hoxha.

E pamoralëshme, turpëshme për këtë media dhe për këtë varfërim intelektual për raportin me të vërtetën që pamë në këtë rast si shumë herë të tjera.

Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur në vëndin tim në vëndin tënd, është pikërisht kjo media që i shërben bandave politike si shpërblim financiar nëpërmjet krimit ekonomik të pushtetarëve. Është pikërisht kjo media që po shërben të keqes nëpërmjet manipulimit duke paraqitur të keqen, vjedhjen, abuzimin me pushtetin, krimin vulgaritetin kulturor, letrar si model suksesi.

Letra Manush Myftiut për çështjen Ismail Kadare për filmin “Gjenerali ushtrisë së vdekur” qe do xhirohej ne Francë që te kuptohet më e qarte e gjithë mardhënia e Kadarese me shtetin diktatorial dhe vete diktatorin.

Bashkangjitur Relacioni që Isamil Kadare i dërgon Komitetit Qëndror lidhur me botimin e librit “Dimri madh” në Jugosllavi më 21.3. 1980

Relacion

Lidhur me botimin e romanit “Dimri madh” ne Jugosllavi.

Më 17 mars 1980 studjuesi Kosovar Hasan Mekuli kërkoi një takim me mua për të më parashtruar një kërkesë të Shtëpisë botuesë jugosllave “Prosvjet” të Beogradit, e cila ka ndërmend të botojë të përkthyer në serbokroatisht romanin “Dimri madh”.

Qëllimi i takimit të Hasan Mekulit me mua, ishte që të merrte vesh në se unë si autor do të isha dakort që tekstit të ramanit t’i bëhej ndonjë shkurtim prej Shtëpisë botuese “Prosvjet”. Para ca kohe Shtëpia botuese franceze “Fayard” më njoftoi se ishte në traktativë me jugosllavët për botimin e “Dimrit te madh” në serbisht. Me sa duket, përpara se të vendosë përfundimisht për të bërë një kontratë, Shtëpia botuese jugosllave kërkon të dijë nëse autori do të lejojë të bëhet ndonjë heqje në tekst. Shtëpia botuese “Fayard”, në bazë të marrveshjes me autorin, nuk lejon të bëhet asnjë shkurtim dhe prandaj botuesit jugosllavë kanë vënë si ndërmjetës Hasan Mekulin, për të nxjerrë lejen e shkurtimit direkt nga autori.

Kërkova nga Hasan Mekuli të informohem se për çfarë shkurtimimesh bëhet fjalë, dhe ai tha se është fjala vetëm për disa pasazhe që kanë lidhje me Jugosllavinë. I thashë paraprakisht duke ruajtur rezervën që përgjigjen e saktë t’ia jap më vonë, se mund të diskutonim po t’ishte fjala për pasazhe apo fragmente fare të shkurtër, të cilat do ti tregohen konkretisht autorit.

Hasan Mekuli tha pastaj se pas botimit në serbokroatisht, bëhej i mundur dhe botimi i romanit “Dimri i madh” në Kosovë.

Mendimi im si autor është që nëqoftëse shkurtimet janë të tillë që s’prekin asgjë ne thelbin e romanit (pasazhet pë Jugosllavinë nuk zënë më shumë se 3 ose 3 faqe), ato të pranohen.

Sidoqoftë për përgjigjen përfundimtare [res mendimintuaj.

Tiranë, më 17 mars 1980

Ismail Kadare (sic.), ka shkruar Demalia. /Telegrafi/

Exit mobile version