Site icon Telegrafi

Dema: Këtë vit, 19 milionë euro për grante – do të përkrahen edhe kultivuesit e arrave dhe lajthive (Video)

Për herë të parë këtë vit do të përkrahen kultivuesit e arrave dhe lajthive nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), nëpërmjet granteve investve.

Shuma totale e granteve investive kap shumën prej 19 milionë eurove, ka bërë të ditur Drejtoresha e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, Shqipe Dema, në një intervistë për Telegrafin me gazetarin Lulzim Ahmeti.

Ajo ka treguar se fermerët mund të aplikojnë deri më 30 prill për të përfituar nga grantet e Ministrisë së Bujqësisë.

“Buxheti i ndarë këtë vit për grante është 19 milionë euro. Të drejtë aplikimi kanë të gjithë fermerët. Fokusi është në sektorin për prodhimtari primare bujqësore. Për prodhimin në fermë janë ndarë 12 milionë euro, pasi konsiderojmë se duhet konsumim të drejtpërdrejt të produkteve bujqësore”, tha Dema.

Ajo ka treguar edhe për risitë e “Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018”, ku këtë vit do të përkrahen dy kultura specifike.

“Këtë vit kemi risi pasi në program mbështetet kultivimi i arrës dhe lajthisë. Fermerët mund të përfitojnë financim të projektit nga Ministria e Bujqësisë, deri në 60 për qind, kurse 40 për qind i mbetet fermerit për ta financuar vet”, tha Drejtoresha e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural, Shqipe Dema.

Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve, buxheti për këtë program është i planifikuar dhe do të zbatohet sipas planifikimeve.

Dema ka treguar se fermerët mund të aplikojnë për grante deri më 30 prill nëpër shtatë qendrat regjionale në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan. /Telegrafi/

Exit mobile version