Site icon Telegrafi

Deliu: Zgjedhje në kohë pandemie, jeta e qytetarit vlen përtej një vote!

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, ka thënë se situata e krijuar me pandeminë kërkon reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik.

Deliu, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “në këtë gjendje alarmuese për shëndetin e përgjithshëm publik, së fundi kemi dëgjuar edhe thirrje për mbajtje të zgjedhjeve”.

“Të kërkosh zgjedhje në këtë trend të përhapjes së infeksionit me virusin corona, është t’i bashkohesh ftesave për injorim të rekomandimeve profesionale dhe t’i takosh grupeve që për një kalkulim të ulët përfitues bëjnë ballë të shkelin mbi çdo gjë”, ka shkruar ajo.

Postimi i plotë i deputetes Deliu:

“Zgjedhje në kohë pandemie

Kosova, fatkeqësisht radhitet në vendin e tretë me numrin e rasteve të infektuar nga coronavirusi. Situata e krijuar me pandeminë kërkon reagim të shpejtë dhe efikas të institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e shëndetit publik. Nëse kjo shifër nuk na alarmon për t’i respektuar udhëzimet nga profesionistët shëndetësor dhe institucionet përkatëse, pasojat do të jenë të pariparueshme dhe të dhimbshme për një kohë të gjatë.

Në këtë gjendje alarmuese për shëndetin e përgjithshëm publik, së fundi kemi dëgjuar edhe thirrje për mbajtje të zgjedhjeve.

Të kërkosh zgjedhje në këtë trend të përhapjes së infeksionit me virusin corona, është t’i bashkohesh ftesave për injorim të rekomandimeve profesionale dhe t’i takosh grupeve që për një kalkulim të ulët përfitues bëjnë ballë të shkelin mbi çdo gjë.

I vetmi fokus i institucioneve për momentin mbetet ulja e shkallës së infeksionit dhe menaxhimi i pasojave të pandemisë për t’u siguruar qytetarëve mbrojtje dhe mirëqenie të dinjitetshme gjatë përballjes me COVID-19.

Jeta e qytetarit vlen përtej një vote!”, ka shkruar Deliu.

Ish zëvendëskryeministri në Qeverinë Kurti, Haki Abazi, ka thënë sot se Kosovës nuk i duhet gjendje e jashtëzakonshme, por zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ndryshe, zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje, që nga rënia e Qeverisë Kurti, vazhdimisht janë duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. /Telegrafi/

Exit mobile version