Site icon Telegrafi

Deliu-Kodra: Von Cramon në vend të ndërhyrjes në Gjykatë Speciale, duhet të angazhohet për krimet serbe dhe liberalizimin e vizave

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ka kritikuar ashpër vizitën e eurodeputetes në Gjykatën Speciale një ditë pas intervistimit të presidentit Hashim Thaçi, duke e cilësuar këtë vizitë si ndërhyrje politike në drejtësi.

“Vizita por edhe deklarimi i zonjës Cramon për punën e Gjykatës Speciale është ndërhyrje ne këtë gjykatë dhe një veprim si ky nuk do te duhej ti takojë asnjë zyrtari evropian i cili është i ngarkuar me përgjegjësi politike. Veprime te tille bijën ndesh me frazën e njohur e te ripërsëritur nga BE qe drejtësia do te duhej te jete e pavarur nga politika.
E dimë mirëfilli se vizitat në organet e drejtësisë dhe deklarimet politike rreth proceseve të tyre dëmtojnë esencialisht besueshmërinë ndaj këtyre proceseve dhe fare lehte mund të perceptohen si ndërhyrje të qëllimshme politike për favore të caktuara politike, të cilat raportuesja Cramon i ka të shfaqura hapur dhe pa pardon”, tha Deliu-Kodra.

Ajo tha në seancën e Kuvendit se eurodeputetja që është raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian duhet të kërkoj drejtësi për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë ku janë vrarë 14 mijë civilë shqiptarë, janë dhunuar mbi 20 mijë gra e janë kryer masakra të shumta.

“Në realitet, si raportuese për Kosovën por edhe si grua, ajo do të duhej të bëhej e zëshme për vënien e drejtësisë për 20 mijë gratë e vajzat e dhunuara nga forcat e rregullta të ushtrisë e policisë së Serbisë. Për vrasjen makabre të 1230 fëmijëve, përfshirë dhe foshnje të porsalindura dhe qindra masakrave që shkaktuan vrasjen e mbi 14 shqiptarëve nga shteti i Serbisë.
Ajo do të duhej që energjinë e saj ta përqendrojë në liberalizimin e lëvizjes së lirë për qytetarët më të rinj të Evropës”, tha deputetja Deliu-Kodra. /Telegrafi/

Exit mobile version