Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka folur për raportin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e mediave.
“Sipas këtij raporti Kosova ka rënë për 8 pozita më poshtë sa i takon lirisë së mediave. Kosova tashmë bënë pjesë në mesin e vendeve me situatë problematike të shtypit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka shtuar se Qeveria Kurti është qeveria e parë që ka nisur përndjekjen e mediave.
“Qeveria Kurti është qeveria e parë që ka nisur përndjekjen e mediave dhe gazetarëve. Kryeministri Kurti dhe ministri Vitia duhet të dalin para qytetarëve për t’u dhënë sqarime se pse ka dështuar marrëveshja me kompaninë Pfizer për vaksina”, u shpreh deputetja Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra shtoi se ndërhyrja e në media është ndërhyrje flagrante.
“Ndërhyrja flagrante e aparatit shtetëror në drejtën e shprehjes së lirë, sepse mediat kishin publikuar dokumente që flasin për brengën më të madhe të shoqërisë sonë për sigurimin e vaksinës është njollë e zezë mbi demokracinë e re të Kosovës. Duke i sulmuar mediat, ky pushtet autoritar tentoi t’i disiplinoj ato dhe ti paraqes si armiq të shtetit”, tha Deliu-Kodra.
Deliu-Kodra theksoi se Kosova nuk është shtet policor dhe se përndjekja e mediave, shoqërisë civile, opozitës janë shenjat e para të kalimit nga një sistem demokratik në atë autoritar. /Telegrafi/