Site icon Telegrafi

Deliu-Kodra fajëson pozitën për anulimin e seancës: Po e stagnon punën e legjislativit

Anulimin e seancës së Kuvendit deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, ia ka faturuar shumicës parlamentare.

Seanca plenare të mërkurën dështoi të mbahet për shkak të mungesës së kuorumit. Nga 120 deputetë sa janë gjithsej, të pranishëm në sallë ishin vetëm 44.

Lexo po ashtu Nga 120 deputetë, të pranishëm vetëm 44 - dështon seanca e Kuvendit

E Deliu-Kodra ka thënë se kjo qasje e pozitës është e papranueshme pasi po e stagnon punën e legjislativit.

“Në mungesë të kuorumit edhe sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës. Kjo qasje e shumicës parlamentare është e papranueshme, është papërgjegjësi e kësaj shumice që po stagnon punën e legjislativit. Aq më tepër kur në radhë për trajtim janë pika të mbetura që nga sesioni vjeshtor, zgjedhje bordesh të institucioneve të pavarura e shumë raporte të këtyre institucioneve”, ka shkruar deputetja e PDK-së në Facebook.

Ndryshe, lidhur me anulimin e seancës ka reaguar edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Në një postim në Facebook, ai ka shkruar se një sjellje e tillë e mazhorancës është joserioze.

“Sot u anulua seanca e Kuvendit të Kosovës në mungesë të kuorumit. Kjo sjellje e mazhorancës është joserioze. Ka pika në rendin e ditës që presin për muaj me radhë, përfshirë zgjedhjen e udhëheqësve dhe bordeve të institucioneve të pavarura.

Shumë institucione të pavarura dhe agjenci qeveritare kanë mbetur pa drejtues për shkak të insistimit të Kryeministrit për të futur duart gjithkund në shërbimin publik”, ka thënë mes tjerash Hoti. /Telegrafi/

Exit mobile version