Deputetët serbë, të udhëhequr nga zëvendëskryetarja Snezhana Paunoviq, u larguan sot nga konferenca rajonale për Procesin e Berlinit, pas fjalimeve të delegacionit nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja e Hercegovina.
Deputetja Blerta Deliu-Kodra tha në një postim në facebook, se gjatë kësaj konference ri-përsëritën rolin destabilizues të Serbisë në rajon dhe përgjegjësinë e saj për sulmin terrorist në Banjskë.
“Në të vërtetë, ne nuk thamë asgjë që nuk dihet: Serbia është faktor destabilizues në rajon dhe se ajo duhet të marrë përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku”.
“Këtë të vërtetë, por edhe shumë të tjera që ndërlidhin direkt presidentin Aleksandër Vuçiq, do t’ua themi në çdo takim të mundshëm. Derisa Serbia po ballafaqohet me të kaluarën e saj kriminale, siç ishte rezoluta e OKB-së për gjenocid në Srebrenicë, Kosova do të vazhdojë në rrugën e saj të pa alternativë për anëtarësim në BE dhe NATO”, ka shkruar Deliu-Kodra, e cila në konferencë po merr së bashku me deputeten Time Kadrijaj.
Konferenca rajonale për Procesin e Berlinit po mbahet në Petrovac të Malit të Zi. /Telegrafi/