Zhvillimi i një mjedisi ekonomik të qëndrueshëm dhe adresimi i sfidave të sektorit privat janë elemente kyçe për progresin e Kosovës, dhe për integrimin e saj në strukturat evropiane.
Ky ishte një nga përfundimet kryesore të takimeve të Delegacionit të Këshillit të Investitorëve Evropian me përfaqësues të drejtorateve kyçe të Komisionit Evropian dhe të Përfaqësive të Përhershme të disa shteteve anëtare të Bashkimit Evropian (BE) në Bruksel.
Gjatë këtyre takimeve, lidershipi i Këshillit të Investitorëve Evropian prezantoi zhvillimet më të fundit në Kosovë, duke vënë në pah sfidat që masat kufizuese të BE-së ndaj Kosovës kanë shkaktuar për sektorin privat, duke penguar rritjen ekonomike dhe funksionimin e bizneseve.
Një çështje me rëndësi të veçantë ishte anëtarësimi i Kosovës në SEPA (Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave), i cili do të ndihmonte në integrimin financiar të Kosovës në Evropë, duke ulur ndjeshëm kostot e transfereve për bizneset kosovare.
Delegacioni gjithashtu ka kërkuar rritje të mbështetjes së BE-së në fusha kyçe si punësimi i të rinjve për të parandaluar ikjen e trurit, investimet e gjelbra dhe transformimi dixhital.
Përgjatë dy ditëve të vizitës, delegacioni ka zhvilluar takime me përfaqësues të Përfaqësive të Përhershme të Sllovenisë, Hungarisë, Danimarkës dhe Kroacisë, si dhe me drejtori të rëndësishme të Komisionit Evropian, përfshirë Drejtoratin e Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociata të Zgjerimit (DG NEAR), Drejtoratin e Përgjithshëm për Çështje Ekonomike dhe Financiare (DG ECFIN), Drejtoratin e Përgjithshëm për Punësim, Çështje Sociale dhe Përfshirje (DG EMPL), dhe Drejtoratin e Përgjithshëm për Tregun e Brendshëm, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe NVM-të (DG GROW).
Në kuadër të vizitës, delegacioni u prit edhe nga Shefi i Misionit të Republikës së Kosovës në Bruksel, ambasadori Agron Bajrami, i cili përfaqëson Kosovën në Belgjikë, Luksemburg dhe BE. /Telegrafi/