Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, priti në takim një delegacion të Asamblesë Rajonale të Evropës, pjesë e Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF), i kryesuar nga senatorja belge, Anne Lambelin.
Gjatë takimit, të dyja palët konfirmuan angazhimin për vlerat e përbashkëta si diversiteti kulturor dhe gjuhësor, të drejtat e njeriut dhe solidariteti.
Kryeministri Kurti theksoi potencialin për bashkëpunim në fushën e filmit dhe promovimin e gjuhës frënge në Kosovë, duke e parë këtë si një mundësi për të afruar popujt dhe për të rritur mobilitetin e studentëve dhe profesionistëve. Ai shprehu gjithashtu përkushtimin për zgjerimin e kapaciteteve të mësimit të gjuhës frënge në institucionet arsimore publike të Kosovës.
Anëtarët e delegacionit shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe theksuan rëndësinë e vizitës së parë disa-ditore të APF-së në Kosovë.
Në takim ishin të pranishëm edhe Kryesuesi i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF, deputeti Dimal Basha, dhe Sekretarja e Delegacionit, Bukurije Rukolli.
Kuvendi i Kosovës, që nga viti 2022, ka statusin e anëtarit të asociuar në APF dhe synon avancimin drejt anëtarësimit të plotë në të ardhmen. /Telegrafi/