Telegrafi

Delegacioni danez në Kosovë, Konjufca: Ka vullnet për zbatimin e marrëveshjes ndërkombëtare

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ministrin e Drejtësisë të Danimarkës, Peter Hummelgaard dhe Komisionin për Legjislacion të Parlamentit danez me të cilin biseduan për nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes dy shteteve.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, thuhet se Konjufca potencoi arritjet e Kosovës në shumë fusha.

“Duke përmendur hapat e ndërmarrë për të bërë Kosovën pjesë të familjes së madhe evropiane, kryetari Konjufca specifikoi se mbështetja e shteteve si Danimarka është shumë e rëndësishme në këtë rrugëtim”, thuhet në postim.

Lexo po ashtu Marrëveshja mes Kosovës e Danimarkës për 300 qeli burgu në proces të finalizimit, muajt e ardhshëm dërgohet në Kuvend për ratifikim

Tutje në postim bëhet e ditur se nënshkrimin e marrëveshjes ndërkombëtare mes Kosovës dhe Danimarkës, Konjufca e konsideroi hap shumë të rëndësishëm, për të cilën tha, “intensifikon bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e drejtësisë, por edhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”.

Kreu i Kuvendit tha se ekziston vullnet i përgjithshëm për ta mbështetur këtë marrëveshje dhe për të filluar sa më parë implementimin e saj”.

Po ashtu bëhet e ditur se arritja e kësaj marrëveshjeje të bashkëpunimit u vlerësua mjaft e rëndësishme edhe nga përfaqësuesit e Parlamentit të Danimarkës dhe ministri danez i Drejtësisë.

Ndryshe, Kosova dhe Danimarka më 20 dhjetor 2021 nënshkruan një letër-pëlqim, sipas të cilit, 300 qeli burgu të Kosovës do t’i jepen në shfrytëzim shtetit të Danimarkës. /Telegrafi/