Telegrafi

Delegacioni i bizneseve amerikane diskuton mundësitë e bashkëpunimit me bizneset kosovare

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë priti në vizitë delegacionin e bizneseve amerikane të udhëhequr nga konzullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Teuta Sahatqija, ku bizneset anëtare patën rastin të shkëmbejnë mundësi bashkëpunimi me ato amerikane si dhe krijimin e lidhjeve të reja në sektorë të ndryshëm.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka, tha se ky takim është një mundësi e mirë për të ndërtuar dhe krijuar bashkëpunime të reja me kompanitë amerikane, si dhe një rast i veçantë që bizneset amerikane të njihen me disa nga tregimet e suksesit të Kosovës.

Konzullja Sahatqija, tha se prioriteti ynë kryesor mbetet krijimi i lidhjeve dhe partneriteteve mes bizneseve kosovare dhe atyre amerikane, si dhe përmirësimi i imazhit të kompanive tona në tregjet ndërkombëtare.

Ajo shtoi se përmes kësaj vizite jemi duke synuar bashkëpunime të reja për bizneset tona duke pasur parasysh kapacitetet e tyre gjë e cila do të ndikojë edhe më tutje në krijimin e imazhit të Kosovës si një vend i përshtatshëm dhe atraktiv për investime të huaja.

Themeluesi dhe shefi ekzekutiv i kompanisë amerikane ‘MD Squared Property Group’, Michael Mintz, tha se kapacitetet e të rinjve dhe ndërmarrësve në Kosovë si dhe talenti i tyre janë të jashtëzakonshme. Ai tha se janë mjaft të impresionuar me zhvillimin e bizneseve në Kosovë si dhe mbështetjen e sektorit privat dhe qeverisë në kultivimin e kapitalit njerëzor si dhe lehtësirave të tjera në zhvillimin e bizneseve në vend. /Telegrafi/