Site icon Telegrafi

Muja, pas takimit me ambasadorin Delawie: Nuk e votoj Demarkacionin, nuk e garantoj votën kundër qeverisë

(E plotësuar) – Pas takimit me deputetët e LDK-së, ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ka ftuar në takim edhe deputetët e PDK-së, që janë kundër ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi.

Në takim ishin ftuar deputetët Shaip Muja e Nait Hasani nga PDK-ja, deputetja Labinotë Demi-Murtezi nga PD-ja dhe Raif Qela nga Lëvizja për Bashkim, ku të dy këto parti janë në koalicion me PDK-në.

Pas takimit deputeti i PDK-së Shaip Muja tha se ambasadori amerikan i ka ftuar për konsulta, porse ai nuk do ta ndryshojë qëndrimin kundër demarkacionit.

“Jo, jo, unë nuk jam kundër demarkacionit, por kundër këtij versioni. Jo, jo nuk e votoj unë këtë”, tha Muja.

Madje, deputeti Muja shtoi se nuk garanton nëse vota e tij nesër do të jetë kundër qeverisë.

“Ne e dimë që situata është shumë e tensionuar, por problemi i krijuar që tri vite nuk mund të zgjidhet brenda tri dite dhe tash janë përzier dy tema, që është edhe demarkacioni edhe Qeveria. Unë nuk jam nënshkrues i mocionit, por nuk garantoj që nuk do të votoj kundër dhe qeverinë, sepse kjo formë e tensionimit është e patolerueshme”, theksoi ai.

Deputeti Muja mohoi që ambasadori Delawie t’iu ketë kërkuar atyre që ta votojnë marrëveshjen për demarkacionin në çdo formë.

“Ishte vetëm i interesuar dhe është përkushtim i Shteteve të Bashkuara që të gjejmë një zgjidhje, por problemi është te Qeveria e Kosovës e nuk është te deputetët… jo, jo”, u shpreh ai.

Gjatë ditës ambasadori Delawi ka marrë pjesë edhe në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së pikërisht për të diskutuar rreth demarkacionit. Pas mbledhjes zyrtarë të kësaj partie theksuan se LDK do të jetë unike për demarkacionin. /KP-Telegrafi/

Exit mobile version