Telegrafi

Delawie: I lumtur që drafti i statutit të AKS-së do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Greg Delawie ka theksuar se është i lumtur me deklaratën e Bashkimit Evropian (BE) se drafti i statutit të Asociacionit të Komunave Serbe (ASM) do të diskutohet në takimin e radhës në Bruksel.

Ai këto komente i bëri në profilin e tij në Twitter.

“I gëzuar me deklaratën e BE-së se drafti i statutit të Asociacionit do të diskutohet në takimin e ardhshëm në Bruksel. Mendoj se kjo duhet të na ndihmojë të gjithëve të pushojmë dhe të gëzojmë një fundjavë të këndshme”, ka thënë Delawie.

Ndryshe, pritet që dorëzimi i draftit të parë të statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet më 4 gusht (e shtunë), kur ekipi menaxhues i formuar për këtë çështje, pritet ta dërgojë atë në Bruksel. /Telegrafi/