Telegrafi

Del Piero: Pirlo mund të jetë më i mirë se Zidane

Alessandro Del Piero beson se ish-bashkëlojtari i tij Andrea Pirlo mund të ‘bëjë edhe më mirë sesa Zinedine Zidane’ në rolin e tij të ri si trajner i Juventusit.

Vendimi për të larguar Maurizio Sarrin nuk ishte plotësisht befasues pas eliminimit në fazën e 1/8-tës në Ligën e Kampionëve nga Lyoni, por zgjedhja e zëvendësimit të italianit me siguri që ishte.

Pirlo nuk ka përvojë menaxheriale dhe u zbulua vetëm javën e kaluar si trajneri i ri i skuadrës U-23 të Juventusit, e cila luan në Serie C.

Megjithatë, legjenda e Bianconerëve dhe e Italisë, Del Piero ka besim të madh në suksesin e ish-bashkëlojtarit të tij, Pirlos.

Lexo po ashtu Zyrtare: Andrea Pirlo emërohet trajner i ri i Juventusit

“Për të qenë i sinqertë, nuk do të kisha bërë bast që ai do të bëhej trajner. Është një befasi edhe për mua”, ka thënë fillimisht Del Piero për Sky Sport Italia.

“Tashmë isha i kënaqur që ai mori rolin e ekipit U-23 ​​dhe mendova se ishte lëvizja e duhur për të, por ai u largua shpejt, kështu që unë mund t’i uroj vetëm fat”.

“Unë mendoj se perceptimi i përgjithshëm i ish-lojtarëve që bëhen trajner po ndryshon në Itali. Më parë, kishte nevojë për të kaluar një proces të gjatë në ligat e ulëta për të mësuar punën, por vitet e fundit kemi parë Filippo dhe Simone Inzaghin të kenë sukses, plus Gennaro Gattuso. Ata ishin lojtar të shkëlqyeshëm dhe filluan menjëherë me skuadra të shkëlqyera”.

“Nuk është një krahasim i drejtë, sepse Zizou tashmë kishte punuar me ekipin e të rinjve të Real Madridit dhe më pas ishte asistent menaxher i Carlo Ancelotti, por Pirlo ka gjithçka që duhet për të bërë edhe më mirë sesa Zidane”.

“Ai tashmë e njeh klubin, lojtarët, drejtorët, kështu që unë mendoj se ata komunikuan në një mënyrë shumë të qartë”, përfundoi italiani. /Telegrafi/