Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në Prishtinë, në të cilën janë përfshirë një kamion dhe nëntë vetura.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 13:00, në rrugën “Agim Ramadani”.
Në pamjet të cilat i ka siguruar Telegrafi, shihet qartë momenti kur shoferi i kamionit humb kontrollin, kështu duke goditur nëntë vetura.
Dyshimet e para ishin se kamioni kishte problem me sistemin e frenimit, mirëpo nga kompania “Pastrimi”, për Telegrafin kanë thënë se kamioni ishte në gjendje të rregullt.
“Ka qenë aksident i momentit të cilin nuk mund ta parashikojmë as nuk mund ta parandalojmë – e që mundet me na ndodhë të gjithë neve. Kamioni ky që i ka ndodhur aksidenti, dhe të gjithë kamionët tjerë i kanë të kryera të gjitha kontrollet teknike, po ashtu kontrolla periodike është bërë në fund të muajit qershor. Kompania ka garazhin me mekanikë të cilët kontrollojnë kamionët, dhe ata nuk guxojnë të dalin në terren me defekte”, ka thënë zëdhënësja e kompanisë “Pastrimi”, Arbnora Ademi.
Ajo ka thënë që tani duhet pritur ekspertizën e policisë së Kosovës, duke shtuar së është fat që nuk ka viktima nga ky aksident.
Ndërkohë, zëdhënësja e Policisë, Flora Ahmeti ka thënë për Telegrafin se në aksident kanë qenë të përfshira nëntë vetura dhe një kamion, dhe janë lënduar tre persona.
Kompania regjionale KRM “Pastrimi”, është kompani publike e cila merret me grumbullimin, bartjen dhe menaxhimin e mbeturinave./Telegrafi/