Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak të martën ishte për vizitë në Prishtinë.
Ai pas takimit me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi ka takuar edhe liderët e partive opozitare në Kosovë. Këta të fundit pas përfundimit të takimit dhanë deklarata kontradiktore.
Derisa nga PDK e LDK thanë se nuk e kanë parë draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të propozuar së fundmi, lideri i AAK-së tha se në takim me Lajçakun e pa dokumentin e draft-statutit të Asociacionit.
Krasniqi pas takimit me Lajçakun: Na u tha që drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën, por “dreqi fshihet në detaje”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në një deklaratë për mediat pas takimit me emisarin e BE-së për dialog, Miroslav Lajçak ka thënë se emisari i BE-së i informoi që drafti i Asociacionit është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Patëm një takim me emisarin Lajçak, ishte takim informues lidhur me rrjedhën e procesit të dialogut. Emisari shprehu qëndrimin e shteteve të BE-së, që drafti i Asociacionit që i është propozuar Qeverisë është në përputhje me Kushtetutën dhe nuk shkon përtej vijave të kuqe”, tha Krasniqi.
I pari i PDK-së shtoi se nuk patën mundësi që ta shohin dhe ta konsultojnë tekstin integral të draftit për Asociacionin, shkruan Telegrafi.
“Takimet tona do të vazhdojnë, por shqetësimet tona vazhdojnë të jenë prezentë për arsye se nuk jemi të njoftuar për detaje e siç thotë një shprehje “dreqi fshihet në detaje”, neve na duhet t’i shohim detajet e tekstit për të qenë të sigurt që një themelim i Asociacionit nuk do ta ndryshojë për të keq karakterin unitar të shtetit tonë”, tha Krasniqi.
Takimi me Lajçakun, Haziri: Drafti është në kopje të limituara, Qeveria nuk ka arritur ta kapitalizojë situatën pas 24 shtatorit
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri pas takimit me emisarin evropian për dialogun, Miroslav Lajçak tha se ka konfirmuar angazhimin e LDK-së në këtë proces dhe se nuk ka opsion tjetër përpos dialogut.
Haziri tha se situata pas 24 shtatorit ka ndryshuar, por fatkeqësisht Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të kapitalizojë këtë ambient të mirë politik dhe rikthimin e imazhit të Kosovës.
“Ne u takuam për të disatën herë. Angazhimi i tij është për tu vlerësuar përkundër që po vazhdojmë të mbahemi në terr për shkak të mos zbardhjes së dokumentit, së paku në parime dhe në angazhim apo orientime që kryeministri duhet me u ofruar deputetëve dhe popullit të Kosovës”, tha ai.
I pyetur për vlerësimin e LDK-së lidhur me draftin e ri për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Haziri tha se është detyrë e kryeministrit ta prezantojë dokumentin.
Ai tha se janë disa drafte në qarkullim dhe sipas tij asnjëri nuk është dokumenti kryesor, por që mund t’i përmbajë disa pika.
“Drafti është në kopje të limituara dhe në duar të pakta…”, tha ai.
Haradinaj ndryshe nga Krasniqi e Haziri, thotë se në takim me Lajçakun e pa dokumentin e draft-statutit të Asociacionit
Ndryshe, nga dy përfaqësuesit tjerë të partive opozitare, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj pas takimit me emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak, tha se patën mundësi që të njoftohen me dokumentin e draft-statutit për Asociacionin.
Për dallim nga kolegët e tij opozitarë nga PDK e LDK që deklaruan se nuk u njoftuan me dokumentin, Haradinaj e tha të kundërtën.
“Sapo e përfunduam takimin me z.Lajçak dhe patëm mundësinë që të njoftohemi me dokumentin e draft statutit të Asociacionit, që ta lexojmë në tërësi. Kemi lexuar draftin në tërësi, drafti e shpjegon të gjitha mundësitë që Asociacioni u jep komunave me shumicë serbe, duke iu referuar Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës”, tha Haradinaj.
Ai shtoi se qëndrimet si AAK rreth këtij draft-statuti do t’i bëjnë të ditura pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese.
“Komentet tona do t’i bëjmë të ditura pas shqyrtimit nga Gjykata Kushtetuese, sepse në hyrje të dokumentit shpjegohet se drafti duhet të shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese”, tha Haradinaj.
Haradinaj shtoi se me implementimin e Asociacionit, Kosova do ta bëjë një hap të madh përpara drejt rrugës euroatlantike.
“Kosova e bënë një hap të madh përpara me implementimin e Asociacionit, mund të them edhe një kompromis të madh”, tha ai. /Telegrafi/