Telegrafi

Deklaratat e liderëve partiakë pas votimit, ftojnë qytetarët të dalin masivisht në zgjedhje

Liderët e partive politike sot kanë dhënë votën e tyre për udhëheqjen komunale.

Ata kanë ftuar qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje, në ditën kur do të determinohet për katër vitet e ardhshme se kush do të udhëheq me komunën ku ata jetojnë.

Ndryshe, sipas të dhënave preliminare nga 98 për qind e vendvotime numri i qytetarëve me të drejtë vote që kanë votuar deri në ora 11:00 është 8.2 për qind apo rreth 152 mijë votues.

Qendrat e votimit janë hapur në ora 07:00 dhe mbyllen në ora 19:00, ndërkaq në këto zgjedhje janë 166 kandidatë për postin e kryetarëve të komunave, 152 meshkuj dhe 14 femra.

Numri i kandidatëve për kuvende komunale është 5,198, prej tyre 3,261 meshkuj dhe 1,937 femra.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 5,364.

Ndërkaq, lista përfundimtare e votuesve për Zgjedhjet Lokale 2021, përmban 1 milion e 885 mijë e 448 emra të votuesve, apo 90 mijë e 586 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës që u mbajtën më 14 shkurt 2021. /Telegrafi/