Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti gjatë fjalimit të tij në tryezën e partive politike të organizuar nga kjo lëvizje tha se kanë përgatitur një deklaratë që nëse janë të pajtimit mund të nënshkruhet nga partitë politike në fund të diskutimit.
Në këtë deklaratë kërkohen zgjedhjet parlamentare.
Në atë deklaratë kryeministrit Ramush Haradinaj i kërkohet të iniciojë mocion vetëbesimi në Kuvend të dëshmojë që e ka shumicën në Kuvend dhe legjitimitetin për të qeverisur.
“Ne subjektet politike të Republikës së Kosovës pajtohemi që në situatën aktuale rruga e duhur për një qeverisje legjitime dhe demokratike janë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të organizuara në kohën më të përshtatshme të mundshme por pa vonesa”, thuhet në deklaratë.
“Kryeministri nuk mund të vijojë qeverisjen dhe marrjen e vendimeve më tej pa provuar në Kuvend shumicën. Andaj e ftojmë kryeministrin dhe Qeverinë të votëbesohet dhe ta dëshmojë në Kuvend që do të mund të qeverisë”, thuhet më tej.
Pritet të shihet nëse ky dokument do të miratohet nga të gjitha partitë si dhe nëse do të kalojë si propozim edhe në Kuvend.