Site icon Telegrafi

Deklarata e Pavarësisë niset për në shtatë qendrat kryesore të Kosovës

Për nder të 11 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Deklarata që e shpalli të pavarur Kosovën u nis nga Kuvendi i Kosovës, për në shtatë qendrat kryesore të Kosovës.

Ushtarët e Gardës Ceremoniale të rreshtuar po qëndronin para Deklaratës së Pavarësisë për të nderuar atë.

Drejtori i protokollit të shtetit, Orhan Hajrizi tha se këto deklarata do të qëndrojnë deri të hënën në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shohin nga afër këtë akt të veçantë të shtetit.

“Sot jemi këtu duke e nisur Deklaratën e Pavarësisë në 7 qendrat kryesore të Kosovës, Siç e kemi thënë edhe gjatë prononcimeve tona të mëhershme, kjo deklaratë do të qëndrojë në qendrat kryesore të qyteteve të Kosovës deri të hënën në mbrëmje, ku qytetarët do të kenë mundësi të shohin për së afërmi dhe të bëjnë ndonjë foto”, tha ai.

Deklarata e Pavarësisë u nis me siguri maksimale, ku nën përcjelljen e policisë gjatë gjithë rrugëtimit do të mbërrijnë në destinacionet e caktuara.

Ndërsa, qyteti i parë ku do të mbërrijë deklarata e pavarësisë është vet kryeqyteti, pastaj qyteti i Mitrovicës, Gjakovë, Prizren, Gjilan, Pejë dhe Ferizaj. /Telegrafi/

Exit mobile version