Përmes një komunikate zyrtare, gjatë të hënës, Gjilani njoftoi se e ka liruar nga posti trajnerin Ismet Munishi.
Spekulimet kishin qarkulluar më herët, ndërsa pastaj erdhi edhe konfirmimi zyrtar se klubi e ka ndërprerë ka mbyllur bashkëpunimin me shefin e shtabit teknik, të cilin e falënderoi për kontributin e dhënë duke i uruar shumë suksese në karrierën e tij sportive.
Gjilani nuk tregoi ndonjë arsye të shkarkimit duke pohuar thjesht se drejtimin e skuadrës do ta merrte Alban Hyseni deri në fund të edicionit. Ndërsa gjatë ditës ka ardhur edhe reagimi i trajnerit.
“Prej ditës së parë deri më sot isha shumë krenar që isha në bankinën e klubit të madh SC Gjilani! Falënderoj presidentin Florim Zuka për mundësinë dhe përkrahjen që ma dha, tifozerinë Skifterat që së bashku ndamë gëzime e kohëve të fundit edhe hidhërime për fat të keq!”.
“Kush më njeh e di se e bëj punën me zemër dhe përkushtohem 100 për qind, por për fat të keq kjo nuk ishte e mjaftueshme që ne të dalim kampion për çka edhe vendosem t’i ndajmë rrugët”.
“E falënderoj stafin për bashkëpunimin shumë të mirë që kishim dhe u dëshiroj suksese në Evropë.
Dhe në fund qershinë e kam për futbollistët e mi që i dua shumë dhe i lus të vazhdojnë me krenari, t’i mbrojnë ngjyrat e klubit të madh SC Gjilani!’, shkruan në postimin e Munishit në rrjetet sociale. /Telegrafi/