Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz, pas takimit me presidentin, Hashim Thaçi, në një konferencë për media tregoi se ka ende shtete të Bashkimit Evropian (BE), të cilat janë skeptike sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në lidhje me deklaratën e kancelarit austriak Kurz, është pajtuar edhe Demush Shasha nga Instituti Epik si dhe politologu, Musa Preteni.
Shasha theksoi se ky skepticizëm është i bazuar në atë se Kosova ende s’ka arritur të dëshmoj që është e storie e suksesit në fushën e sundimit të ligjit.
“Para Kosovës janë edhe gjashtë hapat e mbetur deri në lëvizjen e lirë. Deklaratën e kancelarit duhet ta marrim nga këndvështrimi i skepticizmit të disa vendeve, i cili është shfaqur në veçanti ditëve të fundit. Kosova ende s’ka arritur të dëshmoj se është storie e suksesit në fushën e sundimit të ligjit. Specifikisht në kuadër të 44 rasteve të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, thotë Shasha.
Edhe politologu Musa Preteni, u shpreh se mesazhi i Kurz në Prishtinë, nuk është i rastësishëm.
Sipas tij, institucionet e Kosovës në këtë afat kohor duhet të rrisin nivelin lobues tek vendet e BE-së, që kanë paraqitur skepticizëm ndaj Kosovës për liberalizim të vizave.
“Deklarata e kancelarit austriak në Prishtinë në lidhje me liberalizimin e vizave është më pajtim të plotë edhe me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të BE-së dhe vendeve të fuqishme evropiane se ka skepticizëm sa i përket kësaj çështje. Unë mendoj se mesazhi i Kurz nuk është i rastësishëm dhe institucionet e Kosovës duhet ta marrin shumë seriozisht që në këtë afat kohor që ka mbetur të rritet niveli lobues tek këto vende”, ka thënë Preteni.
Ai shtoi se alarmi duhet t’i prek të gjitha institucionet, në mënyrë që të lobojnë intensivisht tek vendet skeptike të BE-sa.
“Konsideroj që një politikë e tillë e vendeve evropiane në raport më çështjen e vizave për Kosovën vije në një kohë kur e djathta ekstreme po merr hov në shumë vende evropiane është bërë faktor i rëndësishëm politik. Sigurisht që pastaj skepticizmi i qeverive aktuale evropiane vjen si pasojë e kësaj rritje, rritje e cila mund të shkoj tutje pas një vendimi që edhe kosovarët të udhëtojnë lirshëm në Evropë. Alarmi duhet t’i prek të gjitha institucionet, të cilat mendoj që duhet në urgjencë të dakordohen për një strategji unifikuese me hapa shumë konkret që deri të dhjetor të këtij viti të lobojnë intensivisht tek këto vende skeptike”, tha ndër të tjera, Musa Preteni për Telegrafin.
Përderisa kancelari Kurz, është treguar skeptik për liberalizimin e vizave, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do të punojnë veç e veç me shtetet e Bashkimit Evropian për çështjen e liberalizimit të vizave, pasi sipas tij qytetarët e Kosovës meritojnë lëvizje të lirë dhe sa më shpejtë që ndodh është më mirë.
Ndryshe, zyrtarët e lartë të Kosovës kanë ashpërsuar gjuhën ndaj Bashkimit Evropian (BE), pas paralajmërimeve që vendimi për liberalizimin e vizave mund të mos merret këtë vit.
Derisa kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ditë më parë ka thënë se do të ishte racizëm ndaj kosovarëve nëse nuk hiqen vizat sivjet, zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj dje ka thënë se nëse kjo nuk ndodh atëherë Kosova nuk ka arsye t’i besojë BE-së. /Telegrafi/