Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka reaguar sot pas deklaratës së kryeministrit Albin Kurti se është kureshtar të dijë se cili është prokurori që e bëri kërkesën dhe cili gjyqtar e aprovoi ndërrimin e masës ndaj Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka shprehur shqetësim për kërkesën e Kryeministrit Albin Kurti për t’u informuar me emrin e gjyqtarit i cili ka marr vendim ligjor për ndërrimin e masës së të pandehurit Dejan Pantiq.
“Rikujtojmë Kryeministrin se gjyqtarët janë dhe duhet të jenë të pavarur gjatë ushtrimit të detyrave të tyre kushtetuese dhe ligjore, ndërsa tendencat për ndërhyrje janë të papranueshme dhe si të tilla i dënojmë fuqishëm.
Sa i përket pyetjes së Kryeministrit Kurti për emrin e gjyqtarit që ka vendosur në lidhje me këtë rast, Këshilli Gjyqësor publikisht e informon Kryeministrin Kurti se bazuar në Kushtetutë dhe Ligj, personi zyrtar kompetent që ka marr këtë vendim quhet Gjyqtar i Republikës së Kosovës, vendimet e të cilit duhet të respektohen pa i komentuar, pa përjashtim, përfshirë edhe Qeverinë”, thuhet më tej në reagim. /Telegrafi/