Site icon Telegrafi

Deklarata e Gjermanisë, Francës dhe Polonisë për liberalizimin e vizave, Rohde: Lajm inkurajues për Kosovën që BE do të jep së shpejti

Foto: Arkiv

Franca, Gjermania dhe Polonia përmes një deklarate të përbashkët të publikuar të premten nga Ministria e Punëve të Jashtme gjermane, kanë bërë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Përveç vizave, në këtë deklaratë përmendet edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian.

Të tria vendet kanë theksuar nevojën për një marrëveshje gjithëpërfshirëse që i mundëson Kosovës dhe Serbisë të avancojnë në rrugën e tyre evropiane dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon.

E lidhur me këtë deklaratë ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde duke e quajtur lajm inkurajues për Kosovën që Bashkimi Evropian do të jap së shpejti.

“Lajm inkurajues për Kosovën që Bashkimi Evropian do të jep së shpejti: Deklarata e përbashkët e Gjermanisë, Polonisë, Francës ‘Ne mbështesim plotësisht dialogun Kosovë-Serbi të udhëhequr nga BE-ja dhe … bëjmë thirrje për përparim në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën’”, shkruan Rohde në Twitter.

Në deklaratën e tri shteteve thuhet “Ne bëjmë thirrje për progres në lidhje me liberalizimin e vizave për Kosovën. Vendet tona janë të përkushtuara fuqishëm ndaj Procesit të Berlinit si një mjet shtesë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor; ne theksojmë rëndësinë e zbatimit të vendimit historik nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor për të krijuar një treg të përbashkët rajonal. Duke pasur parasysh rëndësinë që i kushtojmë rajonit dhe si shenjë e mbështetjes sonë të përbashkët, ne kemi rënë dakord për një vizitë trepalëshe në këtë rajon dhe avokojmë për forcimin e mëtejshëm të lidhjeve midis BE -së dhe Ballkanit Perëndimor”.

Tutje, në deklaratë rikonfirmohet angazhimi i tri shteteve ndaj perspektivës së anëtarësimit në BE për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk e gëzon lirinë e lëvizjes. /Telegrafi/

Exit mobile version