Site icon Telegrafi

Deklarata e ambasadorit amerikan për sovranitetin, indeksi i perceptimit për korrupsionin dhe deklarata e Borrellit se Serbia duhet ta pranojë gjenocidin – top lajmet e javës

Javën që po lëmë pas ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka thënë Kosova është shtet i pavarur dhe pavarësisht se disa njerëz mund ta kundërshtojnë, realiteti dhe faktet në terren flasin vetë.

Po javën që lamë pas Transparency International ka publikuar Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, ndërsa Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit.

Po gjatë javës përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ia ka bërë të qartë Serbisë se avancimi i saj drejt Bashkimit Evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe se nuk ka vend në BE për ato shtete që e mohojnë gjenocidin dhe festojnë për kriminelët e luftës.

Ambasadori amerikan, Hovenier: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk janë në pyetje

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka deklaruar se sovraniteti i Kosovës, integriteti territorial i Kosovës, nuk janë në pyetje.

Në një intervistë për televizionin publik, ai tha se disa edhe mund ta kundërshtojnë këtë por ky është realiteti.

“Kosova është shtet i pavarur. Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Kosova është shtet sovran”.

Lexo po ashtu Ambasadori amerikan, Hovenier: Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk janë në pyetje

“Disa njerëz mund të zgjedhin ta kundërshtojnë këtë, por kështu është. Dhe njerëzit mund të debatojnë sa të duan, por realiteti, faktet në terren, flasin vetë”, ka deklaruar Hovenier, transmeton Telegrafi.

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier ka folur edhe për çështjen e asociacionit duke deklaruar se çka kjo do të ishte është çështje për qeverinë e Kosovës.

Në një intervistë për televizionin publik, Hovenier ka thënë se askush nuk është i interesuar për Republikën “Srpska”, në Kosovë.

Lidhur me asociacionin ai përmendi Planin e Ahtisaarit, duke thënë se është një lloj entiteti të komunave, të cilave iu jepen funksione shumë specifike përmes decentralizimit.

Kosova shënon përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit

Kosova ka shënuar përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit, duke u renditur e 39-ta në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, të përpiluar nga organizata ndërkombëtare, Transparency International.

Një vit më parë Kosova kishte 36 pikë.

Indeksi radhit çdo vit 180 shtete dhe territore të botës në bazë të nivelit të perceptuar të korrupsionit në sektorin publik. Ai përdor një metodologji pikësh, sipas së cilës zero tregon për një vend shumë të korruptuar, ndërsa 100 për një vend të pastër nga kjo dukuri.

Lexo po ashtu Kosova shënon përparim të lehtë në luftën kundër korrupsionit

Nga vendet e rajonit, përparim ka shënuar edhe Maqedonia e Veriut, e cila ka 39 pikë, katër më shumë sesa vitin e kaluar.

Shqipëria ka 35 pikë – një më pak sesa një vit më parë.

Bosnje-Hercegovina ka po ashtu 35 pikë, por nuk ka ndërruar pozitë.

Serbia nuk ka ndërruar pozitë po ashtu me vitin e kaluar. Ka sërish 38 pikë.

Mali i Zi qëndron më së miri në rajon sa i përket luftës kundër korrupsionit me 46 pikë, një më shumë sesa vitin e kaluar.

Megjithatë, Indeksi për vitin 2021 flet për një bllokadë në luftën kundër korrupsionit në gjithë botën, pasi 86 për qind e shteteve kanë bërë pak apo aspak përparim në 10 vjetët e fundit.

Sipas Organizatës Transperency International, vendet që shkelin liritë civile shënojnë vazhdimisht rezultate më të ulëta në Indeks.

Borrell: Serbia duhet t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ta pranojë gjenocidin

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Çështje të Sigurisë, Josep Borrell, ia ka bërë të qartë Serbisë se avancimi i saj drejt Bashkimit Evropian varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe se nuk ka vend në BE për ato shtete që e mohojnë gjenocidin dhe festojnë për kriminelët e luftës.

Shefi i diplomacisë evropiane, siç raportojnë mediat, në një konferencë të përbashkët me kryeministren serbe Ana Brnabiq, pas takimit të Këshillit të Stabilizim-Asociimit ndërmjet Serbisë dhe BE-së në Bruksel, theksoi se “kur bëhet fjalë për normalizimin e marrëdhënieve dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë në rajon, ata që festojnë për krimet dhe kriminelët e luftës dhe i mbështesin publikisht, si dhe ata që kërcënojnë stabilitetin dhe procesin e pajtimit në rajon, duhet ta dinë se kjo nuk është në përputhje me vlerat evropiane”.

“Ne i ndamë ato parime me kryeministren e Serbisë dhe jemi të sigurt se Serbia do të vazhdojë të ndjekë rrugën evropiane”, tha Borrell, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu Borrell: Serbia duhet t'i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën dhe ta pranojë gjenocidin

Kur bëhet fjalë për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Borrell theksoi se nevojitet të sigurohet përparim i shpejtë në procesin e normalizimit, në zbatimin e marrëveshjeve të arritura më parë dhe avancimin drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme.

“Ne presim që Kosova dhe Serbia të arrijnë përparim kur bëhet fjalë për zotimet që kanë bërë dhe ende nuk i kanë përmbushur”, tha Borrell, duke u kërkuar të dyja palëve të krijojnë një atmosferë të përshtatshme për dialog dhe të përmbahen nga veprimet  dhe deklaratat e njëanshme.

Borrell ka përsëritur thirrjen që të zbatohen të gjitha marrëveshjet që janë arritur deri tash në dialogun që e ndërmjetëson blloku evropian.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Rundi i fundit i dialogut në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq është mbajtur në korrik të vitit 2021. /Telegrafi/

 

Exit mobile version