Site icon Telegrafi

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë: Mbi 27 mijë euro i ndalëm nga pagat e profesorëve dhe asistentëve që nuk mbajtën mësim

Mbi 27 mijë euro i janë kursyer buxhetit të shtetit të Kosovës pas vendimit të dekanatit të Fakultetit të Mjekësisë që profesorëve dhe asistentëve të këtij Fakulteti t’i ndalet paga e tyre pasi nuk kanë mbajtur ligjërata online gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2020/2021.

Kështu ka bërë të ditur dekania e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtines “Hasan Prishtina”, Suzana Manxhuka- Kërliu në emisionin “Kallxo Përnime”.

“Ka qenë fustruese për ta, dhe normalisht ne kemi bërë vendime për secilin. Kemi formuar një komision të ankesave ku kanë pasur të drejtë të shprehin ankesat e tyre dhe ju kemi marrë parasysh disa data kur kanë qenë festa, por prapë ka qenë një numër shumë i madh i orëve dhe për aq orë sa u kanë munguar për të përmbushur normën e tyre, ata janë dënuar”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një asistent nga 140 orë sa është norma e mbajtjes së orëve i ka mbajtur vetëm 37 orë.

“E kemi pasur një asistent, nuk ka qenë kirurg, i cili prej 140 orëve, nuk i ka mbajtur 103 orë. Kanë menduar që nuk shikohen këto. Janë dikujt 1,600 euro, 1,300 euro, 2,300 euro njërit që iu kanë ndalë, gjithsej 27 mijë e 100 euro komplet, një të një profesoreshe dhe tjerët janë asistentë. Kurse kemi një profesor të Kirurgjisë që edhe vitin e kaluar tre semestra nuk ka mbajtur mësim”, ka thënë dekania Manxhuka – Kërliu.

KALLXO.com ka raportuar më 13 maj se disa profesorë dhe asistentë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” nuk i kanë mbajtur të gjitha ligjëratat të cilat kanë qenë online gjatë semestrit dimëror të vitit akademik 2020/2021.

Exit mobile version