Dega e Partisë Demokratike në Ferizaj përmes një reagimi të bërë për media ka thënë se aktivistë të Vetëvendosjes kanë sulmuar fizikisht veprimtarin e PDK-së, Jakup Sabedinin.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se dega e PDK-së në Ferizaj, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës si dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor.
“Dhuna është e papranueshme kudo që ndodh e ndaj kujtdo që ndodh! Fatkeqësisht, të shtunën, aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! në Ferizaj, sulmuan aktivistin e devotshëm politik të Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj dhe humanistin shembull të qytetit tonë, Jakup Sabedini, me ç’rast ky i fundit ka pësuar lëndime të rënda trupore, ku ofrimi i shërbimeve urgjente mjekësore ishte i pashmangshëm. Rasti është raportuar menjëherë tek organet e sigurisë, porse deri më tani, nuk ka asnjë veprim që do ta ndriçonte rastin në plotni”.
“Kryesia e degës së Partisë Demokratike të Kosovës në Ferizaj, përmes këtij reagimi, dënon fuqishëm këtë akt të dhunës të motivuar politikisht dhe fton organet e drejtësisë dhe ato të sigurisë ta ndriçojnë këtë rast dhe të mbajnë përgjegjës kryesit deri në dënimin meritor”, thuhet në reagim, transmeton Telegrafi.
Tutje në njoftimin e PDK-së thuhet se shembujt e tillë të dhunës, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike.
“Shembujt e tillë ku spiralja e dhunës shtrihet mbi aktivistët politik dhe humanistët e dalluar, thyejnë rëndë besimin e qytetarëve në forcat politike dhe humbin përfundimisht parametrat e një gare e pjesëmarrje të ndershme në subjektet e aktivitetet politike.
Aktivisti Sabedini, ishte i anëtar i shtabit zgjedhor lokal në PDK-n e Ferizajt, në zgjedhjet e 6 tetorit, motiv ky që nxiti sulmin ndaj tij nga aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje! e si rrjedhojë, kërcënimet e tilla kanë ndodhur për një interval të konsiderueshëm kohor”, vijon reagimi.
Ndryshe, Telegrafi ka provuar të marrë edhe një konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me rastin, mirëpo këta të fundit nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje. /Telegrafi/
Fotografia e publikuar në faqen zyrtare të Degës së PDK-së në Ferizaj: