Japonia ishte partneri i shtatë më i madh i Bashkimit Evropian për importet në vitin 2018, apo 4 për qind e importeve jashtë BE-së dhe partneri i gjashtë më i madh për eksportet e BE-së apo 3 për qind e eksporteve jashtë unionit.
Sipas Eurostat, përcjell Telegrafi, gjatë periudhës dhjetëvjeçare, BE-ja kishte një deficit tregtar [importi më i madh se eksporti] me Japoninë prej 5.7 miliardë eurosh në vitin 2018.
Eksportet e BE-së në Japoni u dominuan nga makineritë dhe automjetet, kimikatet dhe mallrat e tjera të prodhuara, të cilat së bashku përbënin 84 për qind të eksporteve të BE-së në Japoni për këtë vit. Këto kategori dominonin importet edhe më shumë, duke përbërë 96 për qind të importeve evropiane nga Japonia.
Në një nivel më të detajuar, makinat dhe automjetet motorike ishin si produkti më i eksportuar i BE-së në Japoni dhe produkti më i importuar i BE-së nga Japonia.
Në mesin e shteteve anëtare të BE-së, në vitin 2018, Gjermania ishte importuesi më i madh i mallrave nga Japonia me 17 miliardë euro dhe gjithashtu eksportuesi kryesor i mallrave në Japoni me 21 miliardë euro. /Telegrafi/