Telegrafi

Deficiti buxhetor i Shqipërisë u tkurr në 2021, shpenzimet tejkalojnë të ardhurat me 700 milionë euro

Buxheti i Shqipërisë raportoi një deficit prej 85.8 miliardë lekësh [701 milionë euro] në vitin 2021, më i ulët se hendeku buxhetor prej 110.6 miliardë lekësh [896 milionë euro] i regjistruar një vit më parë.

Të ardhurat buxhetore panë një rritje vjetore prej 19.9 për qind në fund të vitit duke regjistruar një vlerë të përgjithshme prej 510 miliardë lekësh [4.1 miliardë euro], ndërsa shpenzimet arritën nivelin 596 miliardë lekë [4.8 miliardë euro], me një rritje prej 11.1 për qind krahasuar me vitin 2020.

Sipas të dhënave të publikuara në faqen e ministrisë së financave, të ardhurat e përgjithshme tatimore u rritën me 19.3 për qind në krahasim me vitin 2020 duke arritur vlerën 475.6 miliardë lekë [3.9 miliardë euro].

Ndërsa të ardhurat nga tatimi mbi vlerën e shtuar arritën nivelin 161.5 miliardë lekë [1.3 miliardë euro], me një rritje vjetore prej 23.9 për qind.

Në buxhetin e vitit 2021, qeveria shqiptare ka parashikuar rritje ekonomike prej 8.7 për qind dhe deficit buxhetor 120.5 miliardë lekë [977 milionë euro], ose 6.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. /Telegrafi/