Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Alternativës, Ilir Deda, ka komentuar letrën e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian Federica Mogherini, në të cilën ofrohet që në këmbim të heqjes së taksës ndaj Serbisë, emërtimi i shtetit tonë, UNMIK të zëvendësohet me Kosovo*.
Përmes një shkrimi në Facebook, Deda ka thënë se oferta e Mogherinit është çdo gjë tjetër, përpos një ofertë.
‘Oferta e Mogherinit “ju (Kosova) suspendoni taksën 100%, ne (BE-ja) ju avancojmë nga UNMIK në Kosovo* në CEFTA” është çdo gjë tjetër përpos një oferte’, ka shkruar ai.
Dedaj më tej ka pyetur Mogherinin, “nëse faza finale e dialogut me Serbinë bëhet për njohje të Republikës së Kosovës, atëherë për çfarë ‘avancimi’ nga UNMIK drejt Kosovo* po flasim?
“Nëse faza finale e dialogut është për fqinjësi të mirë ndërmjet dy shteteve, që i zgjidhin ‘të gjitha çështjet e hapura’ me marrëveshje ndërkombëtarisht obligative ligjore, atëherë Kosovo* do të hiqet nga përdorimi. E edhe UNMIK-u”, ka theksuar ai.
“Rrjedhimisht, nga Brukseli nuk ka kurrfarë oferte”, ka shkruar Deda në Facebook. /Telegrafi/